Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) nuk po tregon qartë se a është shkelje e ligjit apo jo nga mos deklarimi i pronësisë në bizneset jo-aktive, siç ka ndodhur me Luan Dalipin, shefin e stafit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti. Anti-korrupsioni po jep përgjigje të mjegulluara lidhur me atë se çka është duke ndodhur me trajtimin e këtij rasti, për të cilin Periskopi ka raportuar para dy javëve…
Fillimisht, Periskopi ka vërejtur se Dalipi është pronar në tri biznese të cilat i ka jo-aktive në ATK, por në ARBK janë aktive dhe të njëjtat nuk i ka deklaruar në formularin e pasurisë, sikurse zyrtarët tjerë që veprojnë në këto raste. Pas këtij raportimi, Periskopi për këtë rast ka kërkuar të marrë një përgjigje nga AKK-ja.
“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”.
Marrë parasysh këtë përgjigje, redaksia ka raportuar se AKK ka nisur hetimet ndaj Dalipit. Menjëherë, ose me datë 24 Mars, AKK-ja ka thënë se “Agjencia Kundër Korrupsionit ju njofton se lajmi i publikuar në disa media se AKK ka nisur hetime ndaj Këshilltarit të Kryeministrit, nuk është i saktë. Për korrektësi të informimit të saktë dhe të drejtë të opinionit publik, Agjencia kundër Korrupsionit sqaron se në lidhje trajtimin e rastit të deklarimit të pasurisë së Këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi, se nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe aktualisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse”.
Pas kësaj përgjigje, Periskopi e ka pyetur decitivisht Agjencinë: “A duhet apo nuk duhet zyrtari i lartë publik të deklarojë edhe biznesin jo-aktiv në formular të pasurisë?”.
AKK-ja ka dhënë një përgjigje të mjegulluar, dhe nuk është përgjigjur konkretisht në pyetje.
“Zyrtarët publik janë të obliguar që deklarimin e pasurisë ta bëjnë sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë si në vijim: Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe anëtarët e familjes së tyre, përmban informacione rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: paluajtshmëria; pasuri e luajtshme në vlerë mbi tremijë (3 000) Euro; zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare; letra me vlerë; para të kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare; detyrime financiare ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore, të realizuara brenda apo jashtë vendit”.
Ndoshta, në këtë përgjigje, AKK-ja ka thënë se zyrtari i lartë duhet të bëjë deklarimin edhe të aksioneve në biznese jo-aktivë, kur ka folur ‘për zotërimin nga ana e tyre të aksioneve në shoqëri tregtare’. Ndoshta…
Meqenëse përgjigja përsëri nuk ka qenë e qartë, Periskopi më datë 30 Mars ka shtruar edhe një pyetje në AKK: “A e keni verifikuar këtë rast, dhe nëse po, çka keni vendosur të ndërmerrni. Nëse nuk është verifikuar akoma, edhe sa kohë u duhet, dhe a mund të na tregoni saktë se çka jeni duke verifikuar?”.
Pas gjashtë ditëve, sot AKK-ja ka dhënë këtë përgjigje: “Lidhur me trajtimin e këtij rasti, Agjencia kundër Korrupsionit i ka ndërmarr masat konform ligjit dhe sipas informatave te pranuara ka filluar verifikimin preliminar për pretendimet e cekura. Pra jemi duke e trajtuar këtë rast në procedure të rregullt”.
Pra, përgjigja e AKK është përsëri “filozofike”. Ajo që dihet është se nuk ka verifikim preliminar, pasi Agjencia kryen hetime administrative dhe këtu mbaron çështja. Madje, bazuar në rregulloret e brendshme të AKK-së, hetimet maksimalisht mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.
Pas informatave të pranuara se Dalipi nuk ka deklaruar pronësinë në biznese jo-aktive, Periskopit i janë dashur 10 minuta kohë për të verifikuar këtë, në faqet e ARBK-së dhe të AKT-së. /Botapress.info/