Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njofton se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.
“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Nga Kryeministria bëjnë me dije se Kurti ka theksuar nevojën që BE-ja të heq sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.