Sanksionet kundër Rusisë mund të bëjnë që Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) të rrëzohet dhe struktura 500-tonëshe “të bjerë në det ose në tokë”, ka thënë kreu i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos.
Dmitry Rogozin, një mbështetës i zëshëm i pushtimit rus të Ukrainës, bëri thirrje që të hiqen sanksionet pasi ato mund të pengojnë funksionimin e anijes ruse që i shërben ISS, shkruan The Guardian.
Si rezultat, segmenti rus i stacionit – i cili ndihmon në korrigjimin e orbitës së tij – mund të ndikohet, duke shkaktuar që struktura 500 tonësh “të bjerë në det ose në tokë”, shkroi shefi i Roscosmos në Telegram.
Duke publikuar një hartë të vendndodhjeve ku ISS mund të zbriste, ai tha se pak gjasa që të bie në Rusi.
“Por popullatat e vendeve të tjera, veçanërisht ato të udhëhequra nga ‘qentë e luftës’, duhet të mendojnë për çmimin e sanksioneve kundër Roscosmos”, ka thënë ai.
Agjencia Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) ka thënë më parë se po përpiqej të gjente një zgjidhje për ta mbajtur ISS në orbitë pa ndihmën e Rusisë.