Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka alarmuar për një veprim tjetër të pushtetit pas arrestimit të shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Ai ka deklaruar se ka marrë ftesë për një mbledhje të Komisionit për Buxhet që do të shqyrtojë raportin financiar të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin e kaluar.
Kjo është e pazakontë meqë sipas tij asnjë raport financiar për vitin e kaluar nuk është shqyrtar në këtë komision deri tash.
“Ky është raporti i parë i ndonjë institucioni që shqyrtohet në Komisionin për Buxhet prej se ka filluar viti 2023.” – është shprehur z. Hoti.
Ai ka thënë se kjo nuk është rastësi, duke e ndërlidhur me arrestimin e shefit të KEK-ut Nagip Krasniqin dhe me sulmet e sotme të Kurtit ndaj prokurorisë që i bëri në Kuvend.
“Merreni me mend deri ku shkon kjo mazhorancë në marrinë e saj për të ndikuar në drejtësi. Do të jetë e pamundur të ndikojnë, vetëm se Kosova do ta paguajë në raport me integrimet euro-atlantike dhe anëtarësimet në mekanizma ndërkombëtarë,” – ka alarmuar z. Hoti.