Aktivistët e PSD’së po zhvillojnë një aksion te ndërtesa e KEDS’it, ku kanë vendosur një “çek në vlerë 20 milionë euro”, raporton Express.
“Në emër të popullit, paratë e popullit, kapitali privat”, shkruan në “çekun” që PSD-ja ka varur sot në rrethojat e objektit të KEDS-it.
Ky aksion vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 20 milionë eurove për Korporatën Energjetike të Kosovës, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend.
Qeveria ka njoftuar se Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te KEK-u dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.
Kjo ndarje e mjeteve është bërë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike ku është shtuar edhe masa 3.7 e cila përmban mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.