Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të shpallë ditë zie në Kosovë pas aksidentit në Kroaci të autobusit me mërgimtarë kosovarë ku mbetën të vdekur 10 persona, shkruan Gazeta Botapress.
Një gjë të tillë për Gazeta e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani “Presidentja Osmani do të shpallë dite zie. Për ditën e saktë do të njoftoheni së shpejti.”, tha Kupina për Botapress.
Gjatë ditës së sotme, partitë opozitare i kanë kërkuar Osmanit që të shpallë ditë zie në Kosovë pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur sot në autostratën A3 në Kroaci.
Nga informacionet më të fundit, 10 persona kanë vdekur (9 pasagjerë dhe njëri nga shoferët) në këtë aksident, ndërsa rreth 44 persona po trajtohen në spitalin kroat.
Gjithashtu, vlen të theksohet se sipas hetimeve të para të autoriteteve kroate, shoferi i autobusit i cili ka shpëtuar dhe i cili ishte duke ngasur autobusin në momentin e aksidentit ka thënë se e ka zënë gjumi gjatë vozitjes dhe ky mendohet të jetë shkaku i aksidentit. /Botapress/