Të paktën dhjetë persona kanë mbetur të vdekur nga një aksident i rëndë rrugor në pjesën jugperëndimore të Iranit.
Agjencia zyrtare e lajmeve, IRNA, tha se aksidenti ndodhi, kur një kamion goditi një minibus që po bartte punëtorë nëpër një rrugë që i lidh qytetet Khorramshahr dhe Ahvaz në provincën Khuzestan.
Mediet vendëse raportuan se në spitalet e afërta janë dërguar mes pesë e 15 personave, shkruan Free Europe.
Në rrugët e Iranit ndodhin rregullisht aksidente zinxhirore. 14 persona, përfshirë tetë fëmijë, vdiqën në një aksident rrugor në mars.
Irani është në mesin e shteteve me gjendjen më të keqe të sigurisë së trafikut në botë, me rreth 17.000 viktima në vit. Faji për shifrën e madhe të të vdekurve në aksidente rrugore u lihet mosrespektimit të ligjeve të trafikut dhe automjeteve të pasigurta.
Sipas shifrave të publikuara nga policia, më shumë se 8.200 persona kanë vdekur në aksidente rrugore vetëm në shtatë muajt e parë të vitit iranian.