Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka drejtuar letër publike presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, para vizitës së tij në Kosovë të mërkurën.
Në letrën e publikuar sot, AGK i ka kërkuar Costës që të hapë në takim me Kurtin çështjen e respektimit të lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e qeverisë.
“AGK-ja kërkon nga zoti Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës”, thuhet në letrën e AGK-së.
“Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës”, vazhdon letra e Asociacionit të Gazetarëve.
Sipas letrës drejtuar Costës, AGK është shprehur se qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, “janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit.”
“Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara”, ka thënë AGK.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa po zhvillon një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, ku do të takohet me liderët rajonalë dhe do të bashkëkryesojë takimin e nivelit të lartë më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Costa, sot ndodhet në Tiranë.
Pas përfundimit të vizitës atje, presidenti i KE-së do të vizitojë Prishtinën të mërkurën.



Të tjera
Aktuale
Ambasada amerikane: Ngërçi i vazhdueshëm po i kushton Kosovës, koha që udhëheqësit t’i japin prioritet progresit e stabilitetit
Kosova ka mbajtur tre palë zgjedhje
Aktuale
Driton Selmanaj: Duhet konsensus nacional kundër kujtdo që refuzon hyrjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit
Kandidati për deputet i LDK’së, Driton
Ekskluzive Lajme
Trump: Sonte do ta godasim fortë Iranin, do t’ia marrim edhe ishullin “Kharg”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë