Agim Aliu ka një paralajmërim për Qeverinë Kurti që i la pa projekte

 

 

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosja edhe këtë vit ka vazhduar ta favorizojë komunat e udhëhequra nga kjo parti sa i përket investimeve të reja kapitalit të nivelit qendror. Njëra ndër komunat që ka mbetur pa asnjë investim kapital për 2024 është Ferizaj. Çështja e shpërndarjes së pabarabartë të fondeve po shihet si pabarazi dhe padrejtësi nga kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili ka paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa në rast se nuk ndryshon kjo qasje, raporton Gazeta Sinjali.

Aliu ka folur gjatë për Gazetën Sinjali lidhur me këtë qasje të Qeverisë, të cilën e quajti të gabueshme dhe “për të ardhur keq”. Për Ferizajn, ai tha se është padrejtësia më e madhe, pasi kjo komunë kontribuon rreth 20% në buxhetin e Kosovës, por mbetet pa asnjë projekt.

Ai tha se nuk dëshirojnë ta shohin këtë qasje sit ë qëllimshme, por qartazi shihet se komunat po favorizohen, duke mosmiratuar projekte të një komune dhe miratim të projekteve të një komune tjetër.

 “Padrejtësia më e madhe është për Ferizajn, për faktin se Ferizaj është kontribuuesi më i madh në buxhetin e Kosovës, pas Prishtinës. Ne kontribuojmë në buxhetin e Republikës së Kosovës mes 18 dhe 20% të masës së përgjithshme të buxhetit dhe të mos kemi asnjë projekt të ri është për të ardhur keq.

Ne nuk po dëshirojmë të jetë e qëllimshme, por ne po e shohim si pabarazi dhe padrejtësi. Qoftë nga numri i banorëve, qoftë si territor, qoftë si projekteve që i kemi dorëzuar,  qartazi është pabarazi për miratim të projekteve të një komune dhe mosmiratim të projekteve të një komune të caktuar. Kjo është pabarazia.” – tha Aliu për Gazetën Sinjali.

Aliu ka thënë se ka ndërhyrje në buxhet, jo vetëm përmes projekteve nga ministrinë, por edhe në buxhetin në kuadër të formulës së garantuar me ligj.

“Kemi ndërhyrje në buxhet, më pak sa i përket investimeve kapitale edhe në  vet buxhetin e komunave. Jemi duke folë për dy grupe të buxheteve, grupi që ndahet nga Qeveria përmes projekteve në linjat e ministrive dhe buxhetin në kuadër të formulës së garantuar me ligj. Edhe aty kemi më pak buxhet.

Sipas kryetarit, një qasje e tillë ka qenë edhe në dy vitet e kaluara, përkundër që në takimet që kanë pasur me kryeministrin, e kanë theksuar pabarazinë ndaj komunave.

 “Kjo qasje në radhë të parë është në kundërshtim me parimin e qeverisjes që ata udhëheqin, parimin e barazisë, të proklamuar për sa kohë, përderisa kjo është shpërfaqje, pra projektbuxheti, që pikërisht e përcakton pabarazinë dhe padrejtësinë që është bërë me komunat. Jo vetëm me komunën e Ferizaj, por pothuajse me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.  

Kjo qasje nuk është vetëm e këtij projektbuxheti 2024, kjo qasje ke ekzistuar edhe në vitin 2023 dhe në vitin 2022.

Ne kemi pasur takime të vazhdueshme me kryeministrin dhe ia kemi bërë të qartë se kjo është pabarazi, padrejtësi. Duhet të rikthehet në agjendën legjislative granti i katërt, i cili ka qenë para dy vitesh në tavolinën e legjislativit, i cili ka qenë para dy vitesh por është hequr. Konsiderojmë që përmes grantit të katërt të sigurohet barazia në ndarjet buxhetore.”– tha Aliu për Sinjalin.

Aliu deklaroi se nëse Qeveria nuk i mbështet komunat, atëherë nuk I mbështet as qytetarët, prandaj nëse një gjë e tillë nuk ndryshon – ai tha se do të ndërmarrin hapa për bashkëpunimin që kanë mes dy niveleve.

“Mbi 30 komuna  janë që për 2-3 vjet me radhë pothuajse nuk kanë përfituar asgjë, shumë pak projekte kanë kaluar dhe kjo nuk është qasja e duhur e Qeverisë në raport me komunat. Jeta zhvillohet në komuna.

Unë konsideroj që është krejtësisht e gabuar kjo qasje, kur nuk mbështeten komunat, praktikisht nuk mbështeten as qytetarët.

Padrejtësia është më e theksuar në Ferizaj, kur dihet që është kryeqendër e zhvillimit ekonomik. Të kthehet në zero financim për projektet e reja, kjo është qasje e gabuar.

Ne i kemi takimet me kryeministrin dhe sigurisht se nëse nuk ndryshon kjo qasje, ne do t’i diskutojmë si kryetarë komunash për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes dy niveleve.” – përfundoi Aliu.

Në analizën e GAP-it për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore, thuhet se edhe këtë vit mbi gjysma e 21.8 milionë euro është orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime).

“Investimet e reja kapitale janë një indikator i qeverisë aktuale në shpërndarjen e investimeve, si dhe tregojnë orientimin e tyre, për dallim nga projektet e vazhduara kapitale që paraqesin buxhetimin nga qeveritë e kaluara. Historikisht, është vërejtur një tendencë e partive aktuale udhëheqëse të qeverisë të favorizojnë komunat që udhëhiqen nga po e njejta parti. Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro.” – thuhet në raport.

ngjashme