Adnan Merovci, bashkëpunëtori dhe bashkudhëtari shumëvjeçar i presidentit Ibrahim Rugova, në një postim të tij të fundit në Facebook ka shpalosur kujtimet e tij për njohjen e tij të parë me Adem Demaçin dhe për relacionet dhe respektin reciprok mes Presidentit Rugova dhe Adem Demaçit,shkruan Botapress.
Merovci ka folur për Lirinë shpirtërore, nocion që e ka dëgjuar nga Presidenti Rugova duke përfunduar se Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi janë “…2 figura së bashku me Hyjninë e Shqiptarisë, Adem JASHARI, paraqesin 3 shtyllat komplementare të historisë tonë të fundit!”
Për më shumë ja postimi i Adnan Merovcit në Facebook;
Liria shpirtërore!
Pasurinë tonë kombëtare që quhet Adem DEMAÇI e mbaj në mend në vitin 1989 kur filluan aktivitetet e hapura të shqiptarëve të Kosovës, asokohe në Bankën Bankos ku punoja, u zu në gojë emri i Adem DEMAÇIT, shumica lëshuan zyrën, mbeta vetëm me kolegun Alush BERISHA! Të habitur me sjelljen e kolegëve, i them Alushit, ne kemi nevojë për liri dhe besim mes nesh!
Kur u lirua Baca Adem nga burgu dhe vizitoi Dijetarin RUGOVA, aty për herë të parë dëgjova fjalinë “Liri Shpirtërore”. Aty kuptova arsyen e vërtetë pse një vit më parë kolegët ikën nga zyra. Na ka munguar liria shpirtërore!
Baca Adem u nderua me çmimin SAHAROV në vitin 1991, RUGOVA u nderua me këtë çmim në vitin 1998 duke bërë që populli shqiptar të jetë i vetmi që ka 2 laureat të çmimit SAHAROV nga i njëjti vend!
Në përvojën time 10 vjeçare duke qenë prezent në të gjitha takimet e 2 laureatëve tanë, DEMAÇIT dhe RUGOVËS, asnjëherë të vetme nuk ka munguar respekti reciprok.
RUGOVA thoshte se Baca ka të drejtë çdo herë!
Mendoj se s’ka pasë njeri si RUGOVA që ka vlerësuar dhe afirmuar këto vlera të simbolit të rezistencës Adem DEMAÇI. Nuk mund të them se kjo nuk ka qenë reciproke! Të tjerat janë fjalë boshe!
Në fund them se këto 2 figura së bashku me Hyjninë e Shqiptarisë, Adem JASHARI, paraqesin 3 shtyllat komplementare të historisë tonë të fundit!
Nderim veprës së këtyre 3 kolosëve, në veçanti Bacës Adem me rastin e 5 vjetorit të ndërrimjetës së tij!