Absurde: Mërgata, votë po, përfaqësim jo!

Nga Isuf Bajraktari

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mërgata e Kosovës dha një kontribut të jashtëzakonshëm elektoral. Mbi 80.000 qytetarë jashtë vendit votuan, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor. Megjithatë, ky potencial i madh demokratik përfundoi me një absurditet politik: asnjë deputet i mërgatës në Kuvendin e Kosovës.

Shtrohet pyetja që nuk mund të shmanget:

a është kjo demokraci, drejtësi, sinqeritet dhe moral politik?

Nëse përfaqësimi do të ishte i ndershëm dhe proporcional, rezultati do të ishte i qartë: Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të kishte tre deputetë nga mërgata, ndërsa LDK dhe PDK nga një. Kjo nuk do të ishte privilegj, por pasqyrim real i vullnetit të votuesve jashtë Kosovës.

Mërgata nuk është kategori dytësore e qytetarisë. Ajo ka qenë shtyllë ekonomike përmes remitencave, faktor politik përmes lobimit ndërkombëtar dhe pjesë aktive e çdo etape të shtetformimit. Pa mërgatën, Kosova nuk do të kishte mbijetuar ekonomikisht, as politikisht.

Por sot, ajo trajtohet si aset zgjedhor sezonal, jo si subjekt politik me të drejta të plota. Vota e saj merret, por zëri i saj nuk përfaqësohet. Ky është një deformim serioz i parimit demokratik.

Përfaqësimi i mërgatës duhet të rregullohet me ligj: me zonë të veçantë zgjedhore dhe me ulëse të garantuara në Kuvend. Jo si favor politik, por si detyrim demokratik dhe moral.

Kosova nuk mund të kërkojë votë, remitenca dhe investime, ndërsa mërgatën ta mbajë jashtë vendimmarrjes. Një shtet që vepron kështu rrezikon të humbë besimin e një prej forcave të tij më vitale.

Ka ardhur koha që kjo padrejtësi të marrë fund.

Mërgata nuk kërkon mëshirë.

Kërkon përfaqësim.

Të tjera

Aktuale

Sveçla e publikon emrin e serbit të arrestuar në Merdare

Më herët, Prokuroria Speciale njoftoi se

Aktuale

Asnjëri kandidat s’i merr votat e mjaftueshme për gjyqtarë në Kushtetuese

Asnjëri kandidat për gjyqtarë në Kushtetuese,