Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, i ka reaguar ashpër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me deklaratën e saj të sotme për Rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, që miratoi dje Kuvendi i Shqipërisë, duke thënë se Osmani ka qenë dhe mbetet një mini Vetëvendosje, shkruan Gazeta Botapress.info
Osmani deklaroi se s’mund të pritet një përshëndetje speciale për një zhvillim të tillë, meqë siç tha ajo, qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i përditshëm.
“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdoditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara, ne e nderojmë secilin çlirimtare. Prandaj qoftë rezolutat që miratohen në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë e cila asnjëherë nuk do të mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht nga përpjekjet e Serbisë dhe aleatëve të saj. E vërteta është kjo. Serbia ka qenë agresori, Kosova ka qenë viktimë e një regjimi gjenocidal, UCK-ja e ka mbrojtur popullin e Kosovës dhe ka luftuar për lirinë e vendit tonë”, ka thënë Osmani.
Për këtë deklaratë ka reaguar Abdullahu në Facebook, duke thënë se çështja në Gjykatën Speciale nuk ka të bëj me të drejtat e njeriut.
“Para së gjithash, ka të bëjë me të drejtën e një kombi për të luftuar, për të qenë i lirë. Apo më saktë, për t’i mbrojtur vlerat e një lufte që ju Presidente nuk po doni as që dini t’i mbroni.E kam thënë vite më parë se Ju Presidente, keni qenë një mini Vetëvendosje. E ridëshmuat edhe sot në konferencën për shtyp se keni mbetur e tillë. A nuk patët asgjë më të rëndësishme sot për çka të flisni por për Gjykatën Speciale. Gjetët kohë mu sot në Konferencën mikpritëse të Kryetarit të Shqipërisë z. Meta ta akuzoni ish Presidentin Thaçi. Pse? Pse nuk ju largohet kjo armiqësi së paku tani kur ai dhe të tjerët me te, janë në burg. Pse dëshironi dhe si duket gjeni kënaqësi politike t’i akuzoni edhe më shumë e t’i rëndoni edhe më tepër atje ku janë”, ka shkruar ai.