Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, u takua me bashkatdhetarë dhe struktura të degës së LDK-së në Gjermani.
Kryetari Abdixhiku në fjalën e tij vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e mërgatës në vazhdimësi që nga ditët e para e deri më sot. Ai potencoi kontributin për shkollat shqipe, mësuesit, mjekët dhe gjithë aparatin shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe në orët kritike Abdixhiku tha se mërgata i dha Kosovës burrat, gratë, djemtë e vajzat deri në flijimin e tyre në altarin e lirisë.
“Ju, të dashur bashkatdhetarë, ishit burim i pashtershëm organizativ, financiar e logjistik. Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e vënë nga ju. Kontributi i mërgatës sonë nuk u ndal tek liria. Kjo mërgatë e jona, ndihmoj fillimisht me rindërtimin e Kosovës, e më pas dhe me mbijetesën e vështirë të popullit të Kosovës. Por mbi të gjitha, më e rëndësishmja, ishte mbështetja juaj për angazhimin e Presidentit Rugova. Kjo mbështetje, e shoqëruar nga një mbështetje popullore e padiskutueshme për rrugëtimin e tij e tonin, kulmoj më 17 shkurt të vitit 2008 me pavarësinë e Republikës së Kosovës; aktit më të lartë historik të shqiptarëve të Kosovës”, tha kryetari Abdixhiku.
Pasi që vlerësoi lart rolin e mërgatës për Kosovën në vazhdimësi, Abdixhiku tha se është shumë i lumtur që në këtë takim sheh njerëz që kanë nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para, si dhe njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para.
“Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, u lindën dhe aspiratat e artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Postulati themeltar e identitar, është ndërtuar nga një burrë i madh shqiptar, një patriot i papërsëritshëm historik, nga ati themeltar i Republikës së Kosovës e bartësi i lëvizjes më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para një numri të madh të bashkatdhetarëve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kushtrimi i rugovistëve do të bëj jehonë.
“Kur kushtrimi të bjerë në mërgatë e Kosovë, një gjë e dimë të gjithë, se kjo shtëpi politike bëhet e pandalshme, e pathyeshme, e paarritshme, ndaj sot ndjehemi të tillë”, tha Abdixhiku para të pranishmëve.
Abdixhiku më tej paraqiti pikëpamjet për mërgatën, orientimet e brendshme të LDK-së dhe vizionin Kosovën e së ardhmes.
“E shkuara e jonë e përbashkët është e lavdishme. E ardhmja me ne është e domosdoshme. LDK duhet të jetë vendimtare dhe prijetare e proceseve integruese në dekadën e saj të katërt të veprimit politik. Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është udhërrëfimi jonë”, nënvizoi Abdixhiku.
Abdixhiku, theksoi se LDK është kthyer tek anëtarësia e qytetarët si dhe ka hapur dyert për të rinj e të reja, për të ndërtuar gjeneratën e ardhme politike në vend.
Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku i ftoj bashkatdhetarët dhe strukturat e LDK-së që të bëhen bashkë, siç tha ai, për ta përmbushur misionin historik; integrimin e Kosovës në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.
“Kam ardhur këtu të shtroj ftesën për një besëlidhje. Që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i kthehemi qëllimit tonë fillestar të organizimit politik – atë që na mësoj prijësi ynë historik Rugova – e të ringritemi të gjithë për një qëllim të vetëm: t’i japim atdheut tonë të ardhme, ta dërgojmë Kosovën në familjen Evropiane. Ky është misioni ynë historik. Ne duhet të përfundojmë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Dhe në këtë mision historik, mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, Dega jonë në Gjermani, të djathtit, rugovistët, patriotët e të gjitha anëve, kanë rol thelbësor.” thuhet ne njoftimin e Zyres per Medie te LDK-se percjelle Botapress.
Fjala e plote e kryetait Lumir Abdixhiku
Këtë të diel, me bashkëpunëtorë, qëndruam në Frankenthal të Gjermanisë. Aty mbajtëm tubim me bashkatdhetarët tanë e me veprimtarë të LDK-së në degën e Gjermanisë.
Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, që ndonëse shumë larg shtëpisë, gjetëm kaq shumë ngrohtësi; mes vëllezërve e motrave tona në mërgatë. Ishte kënaqësi e veçantë, që pas një kohe të gjatë, pritja e tyre për Lidhjen Demokratike të Kosovës ishte me po aq përkushtim, me po aq zell, me po aq dëshirë, siç e kishim lënë shumë kohë më parë.
Në këtë takim pashë njerëz që kishin nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe pashë njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Pashë burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kjo mërgatë e jona, është shtyllë historike për Kosovën. Është e pazëvendësueshme, e papërsëritshme dhe e paarritshme. Për këtë duhet të jemi krenar, për këtë duhet të jemi të zëshëm, për këtë duhet të jemi të qartë. Ju faleminderit të gjithëve për kontributin e madh në çdo etapë zhvillimore të Kosovës.
Kam ardhur këtu për të shtruar ftesën për një besëlidhje. Që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i kthehemi qëllimit tonë fillestar të organizimit politik – atë që na mësoj prijësi ynë historik Rugova – e të ringritemi të gjithë për një qëllim të vetëm: t’i japim atdheut tonë të ardhme, ta dërgojmë Kosovën në familjen Evropiane. Ky është misioni ynë historik. Ne duhet të përfundojmë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Dhe në këtë mision historik, mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, Dega jonë në Gjermani, të djathtit, rugovistët, patriotët e të gjitha anëve, kanë rol monumental.
Le të bëhemi bashkë. Le të qëndrojmë krah njëri tjetrit. Le t’i japim vetes një familje të fortë politike, e t’i japim Kosovës, fëmijëve tanë e gjeneratave të tjera, një të ardhme euroatlantike.
Deri në takimet e radhës,
Ju faleminderit bashkatdhetarë!