Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ju ka uruar të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin.
Ai ka thënë se kjo datë historike u fitua me sakrificë, teksa tha se në po këtë ditë kujtojnë lindjen e një kombi të lirë dhe të pavarur.
‘’Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, rrugën për liri e pavarësi”, ka shkruar ai.
“Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë”.
“Kjo datë, mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot”!
Ai tha se Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon./Botapress.info/