Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar në Facebook lidhur me rezultatin e zgjedhjeve.
Ai ka thënë se fitues të zgjedhjeve janë të gjithë për maturinë demokratike të treguar, organizim dhe pranim të rezultateve.
Abdixhiku ka uruar të gjithë kandidatët e partive politike për fushatën dhe fituesit e deritanishëm.
I pari i LDK-së thotë se po punohet për raundin e ri të zgjedhjeve dhe besimi i qytetarëve do të trajtohet me kujdes, percjell Botapress.info
Ky është reagimi i plotë i tij:
Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht padallim.
Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë.
I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim.
Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.
Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi.