Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për qasjen e tyre ndaj inflacionit, duke thënë se nuk ia kanë haberin kësaj çështje.
Këto kritika ai i bëri nga foltorja e Kuvendit në seancën ku po diskutohet Projektligji për Masat e përkohshme të produkteve themelore.
Publikohet në media një draft-dokument se si do të duket Asociacioni
“Ka kohë që provoj të kuptoj se si i marrin vendimet këta. Dhe sot i pashë kështu dy raste nga ulësja. Doli e para ministrja e Ekonomisë dhe tha se çmimi i prodhimit të peletit është 188 euro e po shitet me fitim 500 euro, 700 euro në treg e kryeministri e rrotullonte kokën me mosbesim. Doli ministri i Financave thotë një produkt që vjen në kufi me 1 euro e 20 centë e shitet me 2 euro e 20 centë i bën 1 euro fitim – dhe ky [kryeministri] prapë e rrotullonte kokën. Çfarë po ndodhka këtu? Pra, nuk e kupton ministri i Financave, e aq më pak kryeministri i tij, që në momentin e parë që ai produkt futet në doganë qysh në start i merr 20 centë prej këtyre TVSH. Dhe më pas ka kosto të operimit, të punëtorëve, të punës, qirasë, shpërndarjes. Një ministër i Financave si ky duhet m’i marrë letrat me shku në shtëpi. Kjo është tragjedia e këtij vendi. Një shtëpi e paditur në Qeveri.
Abdxhiku tha se reagimi i Qeverisë ndaj inflacionit është shumë i vonshëm dhe se ministrja e Ekonomisë nuk e di as sa është inflacioni.
“Po bëhen tetë muaj që çmimet kanë filluar të rriten dhe këta s’e kuptojnë as sa e kanë inflacionin. Kryeministri, zëvendëskryeministri , ministri i Financave dhe ajo zonja [ministrja Hajdari] që merrte shënim dhe fliste kot, thanë se inflacioni është 12 përqind. E krahasojnë muaj për muaj. 19.3 % është inflacioni prej se ke ardhur ti”.
Abdixhiku tha se do të bie ky ligj nëse shkon në Kushtetuese.