Abdixhiku: LDK do të votojë raportin sapo Kurti dhe ministrat të japin dorëheqje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të votojë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit sapo që Albin Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputetë të japin dorëheqjen.

Ndërprerjen e seancës së sotme të Kuvendit ai e konsideroi si “një episod i errët në demokracinë parlamentare ku partia fituese nuk e respekton rregullin bazik kushtetues ku thotë që një i zgjedhur nuk mund të jetë kryeministër, ministër dhe deputet”

Ai tha se qëndrimi i Vetëvendosjes është “jokushtetuese që bëhet si pjesë e një loje politike për të zvarritur edhe më shumë krijimin e institucioneve dhe për të blerë kohë”.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë: të japin dorëheqje prej pozitave që kanë dhe të ulen në ulëset e Kuvendit dhe të bëjnë betimin si deputetë”.

“Po i shihni se janë pjesë e një mendësie të njëjtë polarizuese, ata që komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Listën Srpska për qeverinë e ardhshme më së paku duhet të flasin për koordinime të tilla”.

Për letrën e publikuar që Kurti thotë se ka dhënë dorëheqje bashkë me kabinetin e tij më 23 mars, Abdixhiku tha se s’mund të jepet edhe dorëheqja edhe të vazhdohet puna nëpër zyre.

“Ne kërkojmë që të jetë një akt normal minimalist kushtetuese dhe të ketë një dorëheqje dhe të mos zvarritet procedura e votimit dhe LDK do të votojë raportin menjëherë sapo të jepet dorëheqja…Nga 23 marsi deri më sot po e vazhdon detyrën”.

Ai tha se dorëheqja duhet t’i dorëzohet Komisionit dhe që “seanca duhet të thirret sa më parë”.

“Ky është proces bllokues i partisë fituese sepse s’i ka numrat”.

Të tjera