Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nuk i pëlqen mosmarrëveshja mes Qeverisë Kurti dhe bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë nënvizoi se situata në veri i shkon për shtat Qeverisë së Serbisë.
“Nuk më pëlqen se si ka pasur mosmarrëveshje në mesazhe, mospërputhje në komunikim mes bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës”, tha ai për Klan Kosova, transmeton Botapress.
Ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së për situatën në veri: Qetësi para stuhisë
Ai shprehu besimin se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, do ta përmirësojë shumë shpejt komunikimin dhe se do të gjendet një zgjidhje e përbashkët.
“Është çështje e Ballkanit, ne nuk jemi superfuqi, jemi shtete shumë të vogla, jemi mikro shtete, është e vërtetë që Kosova është më e madhe se Mali i Zi, por nuk mund të anulojmë as ndikimin dhe as miqësinë me aleatët kryesorë. Këtu, mbi të gjitha e kam fjalën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, me të cilët duhet gjetur një lloj komunikimi”, tha ai.
Abazoviq ka theksuar se nuk po e kritikon qeverinë e Kurtit. Në të njëjtën kohë, ai tha se situata në veri të Kosovës korrespondon me Serbinë për shkak të problemeve të brendshme politike në atë vend.
“Situata politike në Serbi është bërë më e ndërlikuar. Unë mendoj se ajo që ndodhi në veri, për fat të keq, i shkonte për shtat Qeverisë së Serbisë, sepse ajo dëshiron të zhvendosë fokusin nga disa nga problemet që ka në vendin e saj, dhe mendoj e në këtë rast edhe veriu i Kosovës po përdoret për manovra politike”, ka shpjeguar ai.
Abazoviq tha se ishte kundër dhunës dhe u bëri thirrje atyre që kanë ushtruar dhunë ndaj KFOR-it që të mos përsërisin akte të tilla.
Ai vlerësoi se zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbahen kur të ekzistojnë kushtet./Botapress.info/