Në gjendje të rëndë nga pandemia, India është goditur edhe nga një fatkeqësi. Bregu perëndimor i saj është goditur nga një ciklon që ka sjellë erëra të fuqishme dhe reshje të mëdha të shiut.
Sidoqoftë, stuhia tashmë është dobësuar, ndërsa porti më i madh privat i Indisë është rihapur. Autoritetet thanë se pastrimi i rrugëve është prioritet, sepse duhet të sigurohet furnizim i qëndrueshëm i spitaleve me oksigjen për shkak të numrit të madh të pacientëve me Covid-19.
Mbi 200 mijë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në rajonin perëndimor të Gujaratit, ndërsa autoritetet i mbyllën portet detare dhe disa aeroporte, pasi cikloni Tauktae arriti në tokën e Indisë në orët e vona të së hënës, duke sjellë erë me shpejtësi deri në 210 kilometra në orë. Deri më tani janë regjistruar së paku 16 viktima.
Stuhia fillimisht u kategorizua si “jashtëzakonisht e ashpër” përderisa ishte në det, ndërsa më pas u vlerësua si “shumë e ashpër” kur arriti në sipërfaqen tokësore, sipas Departamentit të Meteorologjisë. Pritet që stuhia të dobësohet edhe më shumë gjatë orëve të ardhshme, shkruan Reuters.
Stuhia më e fuqishme në dy dekadat e fundit e ka rënduar gjendjen në Indinë e goditur nga pandemia. Shteti me mbi 1.3 miliard banorë po përballet me shifra rekorde të viktimave të pandemisë si dhe mungesë të shtretërve e oksigjenit mjekësor në spitale.