Krasniqi deklarohet pas takimit me Kurtin

Kryetari iPDK-së, Memli Krasniqi, ka folur para mediave pas takimit që ka zhvilluar me kreun e VV-së, Albin Kurti, në përpjekje për të tejkaluar bllokadën në konstituimin e Kuvendit.

Ai tha se gjatë takimit janë shkëmbyer ide dhe diskutime rreth situatës aktuale, ndërsa theksoi se qëndrimet e PDK-së mbeten të njëjta.

“Kemi shkëmbyer ide dhe diskutime sa i përket konstitutimit të Kuvendit. Qëndrimet e Partisë Demokratike dhe të mijat janë ato që i dini”, deklaroi ai.

Krasniqi tha se i ka përsëritur Kurtit qëndrimin që PDK-ja ka pasur edhe pas çdo dështimi të seancës, duke insistuar në zhbllokimin e institucioneve.

“Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës, ia kam thënë z. Kurti përsëri”, shtoi ai.

Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se i ka sugjeruar Kurtit të shqyrtojë një emër tjetër për postin e kryetarit të Kuvendit, duke vlerësuar se kjo do të mundësonte zhbllokimin institucional.

Ai sqaroi se PDK nuk ka qenë asnjëherë bllokuese dhe nuk i takon asaj t’i përcaktojë kandidatët partisë fituese.

“Ne nuk kemi pasur qëndrim mohues apo bllokues. Nuk na takon neve t’ia zgjedhim kandidatin për kryetar të Kuvendit partisë së parë. S’kemi marrëveshje politike.”

Krasniqi tha se partia që drejton është e gatshme të përkrahë një figurë që do të ishte e pranueshme për shumicën e deputetëve, ndërsa theksoi se nënkryetarët nuk janë pjesë e diskutimeve aktuale.

“Nënkryetarët as që diskutohen, as që lidhen me diskutimin për kryetar”, shtoi ai, duke refuzuar të zbulojë se si është përgjigjur Kurti ndaj kërkesave të tij.

Për fund, ai u shpreh qartë: “Nëse Kurti do që ta zhbllokojë situatën, duhet ta ndërrojë sot emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.”

Të tjera