Më 25 shtator të këtij viti, kur në veriun e Kosovës ishin bllokuar rrugët dhe Qeveria e Kosovës dërgoi Njësinë Speciale atje, kryeministri Albin Kurti, pati publikuar fotografi të dy personave dhe bashkë me biografitë e tyre, kishte thënë se janë kryesorët në organizimin e bllokimit të rrugëve.
Lidhur me atë se çka ka ndodhur deri tani me këta dy persona, deputeti i PDK-së Hisen Berisha, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti.
“Ju lutem na tregoni, a janë dhe pse nuk janë arrestuar nëse jo, a janë procedu së paku nga drejtësia e Kosovës si kriminelë që janë”, ka pyetur Berisha, përcjell Periskopi.
Përgjigja e kryeministrit ishte se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në gjyqësor, por shtoi se ‘sipas informacioneve që ka rasti është nën hetim’.
“Pushteti gjyqësor është i pavarur dhe nuk mund të ndërhyjmë në këtë të fundit. Bazuar në informacionin e pranuar nga Prokuroria Speciale, Drejtoria për hetime të Krimeve të Rënda, është duke e hetuar rastin e bllokimit të rrugëve në veri. Në këtë fazë ende janë në procedurat e hetimit”, ka thënë Kurti, përcjell Periskoi.
Por, deputeti Berisha tha se ‘të dy kriminelët e shpallur nga Kurti me biografi në faqen zyrtare në Facebook, ishin ballë për ballë me Policinë e Kosovës në veri’.
“Nuk është vepruar ndaj elementit lriminal që e keni pasqyruar me foto dhe biografi kriminale. Prezenca e tyre ka qenë ballë për ballë me policinë”, ka thënë ai./Botapress.info/