Bajram Gecaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka rikujtuar kryetarit në ardhje të Gjilanit, Alban Hyseni, një deklaratë të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje për PDK-në.
Reagimi i Gecaj ndërlidhet me deklarimin e Hysenit për një koalicion të mundshëm qeverisës të LVV-së në Gjilan me PDK-në.
“Albin Kurti: Ata që kanë bërë koalicion me PDK-në, kanë zhbërë vetveten në kapje të shtetit”, i ka rikujtuar Gecaj, Hysenit.Kryetari në ardhje i Gjilanit, u shpreh të martën për përafrimin e qëndrimeve mes LVV-së dhe PDK-së në Gjilan.
Por, PDK-ja i cilësoi “kalkulime politike” deklarimet e Hysenit.
Kreu i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, tha për mediumin online Paparaci të mërkurën se deklarata e Hysenit është kalkulim politik sepse “pa PDK-në nuk mund të formohet qeverisje stabile në Gjilan”.
“Konsideroj se është një deklaratë politike e z. Hyseni, sepse ai e di që pa PDK-në ata [Lëvizja Vetëvendosje, v.j] nuk ka mundësi të formojë qeverisje stabile në Komunën e Gjilanit. Është e vërtetë se ne kemi bashkëpunuar në opozitë, por nuk mund të them se ka ndryshuar diçka pas zgjedhjeve”, u shpreh Rashiti.
I pari i PDK-së në Komunën e Gjilanit tha se ende nuk ka një qëndrim mbi një koalicion të mundshëm LVV-PDK në Gjilan.