Gruaja në foto është Fatimja, bashkëshortja e Dautit, djalit të axhës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më saktë gjatë viteve 1998-’99, kjo grua e fisme ka gatuar mijëra bukë dhe mijëra gatesa tjera për ushtarët e UÇK-së, derisa shtëpia e axhës ishte baza kryesore e ushqimit, por edhe e armatimit tranzit për Zonën Operative të Drenicës.
Kur përfundoi lufta, pjesëtarët e UÇK-së që i përkisnin familjes time, iu kthyen punëve për t’i ngritur shtëpitë e djegura nga forcat serbe, por edhe Fatimja e heshtur dhe e urtë si gjithmonë, iu kthye punëve dhe angazhimeve të saj.
Fatimja nuk ishte e interesuar që të gradohet si veterane, apo të ketë ndonjë ofiç tjetër me qëllim përfitimi, por as OVL e UÇK-së, nuk ka denjuar asnjëherë që t’ia ndajë bile një mirënjohje!
S’ka më keq se të jesh bukëpërmbysës. Ata që bëjnë një akt të këtillë i zë ahti i mallkimit të lirisë…
Fatimes mbas luftës i janë shfaqur edhe probleme shëndetësore, por ajo vazhdon të qëndrojë e heshtur dhe të mos ankohet asnjëherë.
Kështu janë edhe idealet e luftëtarëve të vërtetë, të cilët ose vdesin në fushëbetejë, ose zgjedhin heshtjen si modesti dhe si refuzim ndaj të keqes…