Zef Prenka: A ka mbetur ndonjë fjali e mirë për LDK-në?

 

Po. Jo vetëm një fjali – por një argument i plotë politik dhe moral

 

Në një klimë politike të polarizuar deri në skaj, ku propaganda është shndërruar në mjet qeverisjeje dhe linçimi politik, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të shihet – me apo pa dashje nga kundërshtarët e saj – si pengesa më serioze ndaj kapjes së plotë të shtetit. Sulmet e koordinuara “alla VV”, të fryra anash nga PDK-ja dhe struktura të tjera të interesit, nuk janë rastësi politike; ato janë dëshmi e frikës nga një LDK që, edhe e dobësuar, mbetet pengesë reale ndaj autoritarizmit dhe rrëshqitjes drejt diktaturës dhe katrahurës institucionale.

LDK-ja është e vetmja forcë politike që vazhdon rrugëtimin e saj në frymën rugoviane – në frymën e maturisë, demokracisë, dialogut dhe shtetit ligjor. Nuk është rastësi që, në përvjetorin e 20-të të ndarjes fizike nga jeta të Dr. Ibrahim Rugovës, u dëgjuan dhe u lexuan kaq shumë fjalë mirënjohjeje dhe respekti për Presidentin Historik, lisin e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së Dardanisë së tij. Këto fjalë nuk ishin nostalgji boshe, por rikujtim se Kosova u ndërtua mbi filozofinë e durimit politik, jo mbi thirrjet për përçarje.

Ironia qëndron te ata që sot flasin më bukur për Rugovën, por dje i kanë thyer krahët LDK-së – qoftë në emër të “reformave”, qoftë nën petkun e lëvizjeve si “Guxo”. Fjalitë brilante për Presidentin Historik nuk e fshehin dot faktin se motivi real i këtyre shkëputjeve ishte lakmia për udhëheqje personale, jo parimi rugovian. Rugova nuk ishte simbol për t’u përdorur, por filozofi për t’u jetuar.

Megjithë goditjet e pandërprera, megjithë euforinë politike që sillet si llavë vullkani dhe përpiqet të përpijë gjithçka përpara, ekziston ende një LDK që di të bëjë ballë. Një LDK që, si një trup i sulmuar nga hijenat politike, nuk është lënë kurrë rehat të implementojë programin e saj – programin e vetëm serioz dhe të qëndrueshëm për një qeverisje fatlume të shtetit, të bazuar në institucione të forta, ekonomi funksionale dhe aleanca strategjike të shëndosha.

As zërat e brendshëm nuk janë të pafajshëm. Disa janë pasojë e manipulimeve të jashtme, disa të keqbindjeve të brendshme, e disa thjesht të ambicieve personale për pushtet. Por historia politike e dëshmon se LDK-ja është ringritur gjithmonë kur ka ditur t’i shuajë egot dhe t’i vërë interesat e anëtarësisë dhe të shtetit mbi interesat individuale.

Me pak më shumë vigjilencë politike, me më shumë disiplinë të brendshme dhe me shuarjen e ambicieve personale për pozita udhëheqëse, LDK-ja jo vetëm që do ta rimarrë veten, por do ta rikthejë edhe besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. Sepse, në dallim nga të tjerët, LDK-ja nuk ka prodhuar asnjë skandal shtetëror që do ta meritonte ndëshkimin me votë – përveçse ka qenë viktimë e një propagande të qëllimshme dhe dashakeqe nga LVV, PDK dhe satelitët e tyre.

Prandaj, po: ka mbetur fjala e mirë për LDK-në. Jo si nostalgji, por si domosdoshmëri politike për një Kosovë demokratike, perëndimore dhe të mbrojtur nga aventurat autoritare.

Drop Here!

Të tjera

Aktuale

Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë

Një person në Podujevë është gjetur

Lajme

Përparim Rama: Albin Kurti lufton për pushtet, e jo për shtet

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim

Ekskluzive Lajme

Krejt çka thuhet në raportin e ekspertëve britanikë për Gjykatën Speciale

Komiteti i Odës së Avokatëve për