Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premtën ka dhënë një intervistë për televizionin amerikan NBC ku ka folur rreth situatës në veri të Kosovës dhe është pyetur për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.
Kurti ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen, por fillimisht, bandat e dhunshme në veri duhet të vihen para drejtësisë ose duhet të kthehen në Beograd.
Rama ‘godet’ Kurtin në BBC: SHBA dhe BE kanë të drejtë, Albini tërësisht i gabuar
“Sigurisht, kryetarët që fituan zgjedhjet më 23 prill kanë legjitimitet të vogël sipas pjesëmarrjes së vogël në zgjedhje por ne kemi bërë thirrje për të gjithë qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje por Beogradi zyrtar ka bërë shumë presion, ka shantazhuar e kërcënuar për mospjesëmarrje. Tani këta kryetarë kanë legjitimitet të vogël, por janë të vetmit që kanë legjitimitet. Nuk e kundërshtoj nevojën në një pikë për zgjedhje të parakohshme, por paraprakisht duhet të kemi në vend sundimin e ligjit dhe këta ekstremistë të dhunshëm, këta banditë që kanë marrë pjesë në protesta të dhunshme, fillimisht duhet të përballen me drejtësinë dhe pastaj të krijojmë kushte për fushatë të lirë dhe zgjedhje demokratike,”, tha Kurti.
Më tutje, ai është shprehur se Beogradi nuk dëshiron pluralitet politik.
“Ne duhet ta ndalim Beogradin nga bullizimi i tyre. Njerëzit duan të participojnë, të dëgjohen, por Beogradi nuk do që ketë më shumë se një parti për komunitetin serb. Në Kosovë 93 përqind e popullsisë janë shqiptarë, ne kemi disa parti politike, ne kemi një parti politike serb për 4 përqind të popullsisë dhe pastaj kemi minoritetet e tjera secila prej tyre me disa parti politike. Beogradi do vetëm Listën Serbe të përfaqësojë minoritetin serb, nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm politik. Komuniteti ndërkombëtar mund të na ndihmojë që serbët lirshëm të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje.”, tha Kurti. /Botapress.info/