Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën e parë pas 24 viteve ndaj një personi të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut ka raportuar Radio Televizioni i Kosovës, ngjarje kjo e cila ishte vendimtare për intervenimin humanitar ushtarak të Aleancës së Altanikut të Veriut kundër gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës nga armata serbo-jugosllave.
Këtë të enjte Prokuroria ka paraqitur aktakuzën e parë ndaj të dyshuarit Ç.A për krime kundër popullatës civile. Prokurorja në Prokurorinë Speciale Habibe Salihi për RTK–në ka thënë se hetime për aktakuzë që do të jetë e para për këtë aktakuzë nisën më 2019. Fillimisht për djegie të shtëpive por që rezultuan me hetime për vrasje.
Dokument: Gënjeshtra e ministres Haxhiu, amnistia e 2013-ës nuk i falë krimet e luftës dhe vrasjet
Prokurorja tha se kanë dëshmitar që ka parë personalisht të akuzuarin në fshatin Reçak të Shtimes dhe ky i fundit i ka drejtuar armën. I akuzuari, tha prokurorja, është njoftuar për aktakuzën por që ende nuk i është përgjigjur.
“Kemi siguruar adresën e tij. I njëjti jeton në Serbi. Kemi dërguar ftesë përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Por, duke pasur parasysh raportet që kemi me Serbinë nuk ka ardhë. Kemi dëshmitarë të mjaftueshëm që i njëjti ka marrë pjesë në vrasjen e 8 personave”.
Në aktakuzë thuhet se personi Ç.A më 15 janar në vitin 1999 në fshatin Reçak ka shkaktuar vuajtje të mëdha. Mes tjerash, edhe në muajin prill i njëjti në bashkëveprim me persona të tjerë kriminalë kishin urdhëruar dëbimin e banorëve, djegie të shtëpive dhe vrasje./Botapress.info/