Një nga temat kryesore të ambasadorëve amerikanë në Serbi, deri në vitin 2012, ishte bashkëpunimi i Serbisë me Tribunalin e Hagës. Dy të tjerat – përmirësimi i marrëdhënieve pas bombardimeve të NATO-s dhe çështja e Kosovës – mbeten edhe sot në agjendën amerikane.
Një ndër çështjet kryesore të të gjithë ambasadorëve amerikanë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve.
Në 10 vitet e fundit, katër ambasadorë amerikanë kanë ndryshuar në Serbi. Secili prej tyre kishte stilin dhe performancën e vet të shpallur tashmë në video prezantime promovuese në kanalin zyrtar në YouTube të Ambasadës Amerikane në Beograd.
Ambasadori aktual, Christopher Hill, është më aktiv se çdo paraardhës i tij dhe duket se është dërguar ekskluzivisht për të përfunduar çështjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai është ambasador për gati një vit dhe është e qartë se SHBA-të besojnë se ka ardhur koha për ta hequr Kosovën nga agjenda në Ballkan.
“Nga këndvështrimi i opinionit vendor, të gjithë këta ambasadorë maten përafërsisht me një kriter – sa simpati shkaktojnë apo çfarë përshtypjesh lënë tek publiku vendas”, tha për N1, Dragan Biseniç, njohës i i politikës së jashtme.
Ai tha se Hil demonstron moderim, vetëdije për delikatesën e situatës dhe përpiqet të mos shkaktojë polemika me performancën e tij.
“Sidomos sepse pozita dhe pozicioni i ambasadorit në administratën aktuale është shumë më i fortë se kurrë më parë. Ambasadorët tani janë në gjendje t’i japin njëfarë vule personale politikës që SHBA-ja po udhëheq në rajon, në mënyrë që ata vetë të propozojnë disa masa që më pas do të zbatohen nga Departamenti i Shtetit”, shtoi ai.
Ai beson se kthimi i Hillit në rajonin e Ballkanit përkon me fillimin e luftës në Ukrainë – një ngjarje me rëndësi gjeopolitike, e cila sigurisht ka ndikim si në llojin, ashtu edhe në intensitetin dhe përshpejtimin e presioneve dhe stimujve si për Prishtinën dhe Beogradin.