Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duket se po përgatit një kauzë mbi të cilën do të akuzojë kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin, për lëshime të rënda ndaj Kosovës? Fjalët e tij në intervistën e djeshme ishin të mëdha, e edhe të qarta.
Ramush Haradinaj pasi kishte parë dokumentin e propozimit franko-gjerman nuk ishte ngutur që të sulmonte kryeministrin Kurti. Bile, ai vlerësonte se kishte njohje ‘të butë de jure’ (çfarëdo kuptimi që ka ky formulim) dhe e paralajmëronte Kurtin që ta pranonte.
Por, Lumir Abdixhiku pati fjalë krejt tjera.
I. Amerika
Akuzën e tij, Abdixhiku e përgatiti duke treguar më së pari që administrata aktuale amerikane e udhëhequr nga Joe Biden po e ofronte një shans të madh për Kosovën përmes fokusit që po i kushtonte temës së dialogut.
“…Përballemi me një administratë miqësore me Kosovën, siç është administrata Biden, një administratë që njeh mirë problematikën kryesore në Kosovë dhe një administratë që njeh edhe historikun e zhvillimeve 30-vjeçare tashmë në raportet e Kosovës me Serbinë…” – tha ai.
“Për Kosovën ky fokus, kjo vëmendje duhet të shihet si mundësi e jashtëzakonshme…” – vazhdoi.
Kurti së fundi kishte shprehur qëndrim të ngjashëm me Abdixhikun. Në një intervistë për Der Standard të Austrisë, ai tha që Serbia po e priste ndërrimin e administratës në ShBA në zgjedhjet e vitit 2024.
Nënkuptimi: mundësia e jashtëzakonshme nuk duhej keqpërdorur nga Kurti.
II. Ku, njohja?
Dhe këtu, na çelet horizonti për një akuzë të rëndë ndaj Kurtit. Lexojini me kujdes fjalët e tij.
“Prej asaj që kemi parë, bëhet fjalë për një marrëveshje që s’është finale, pra është një marrëveshje bazë. Dhe bëhet fjalë për një marrëveshje që s’e ka njohjen de jure të përfshirë në të. Dhe këtë përgjegjësi kryeministri i Kosovës e ka që t’i shpjegojë qytetarëve të Kosovës dhe spektrit politik se a është njohja de jure pjesë e këtij plani, dhe a është marrëveshja përfundimtare siç kemi kërkuar përherë?”
Deri tash, në diskursin për dialogun ishte përmendur marrëveshja përfundimtare dhe ishte përmendur njohja nga Serbia si arsyet pse ndodhte dialogu. Pra, mbyllja e problemeve kryesore me vendin armiqësor fqinj. Ai përmendi edhe letrën e Joe Bidenit të para dy viteve, ku përmendej në mënyrë eksplicite njohja reciproke.
“Çka u bë prej asaj kohe?” – është pyetja e tij. Dhe, duket se ky do të jetë sulmi i madh i Abdixhikut ndaj Kurtit për këtë çështje. Ndoshta, s’do ta përdor termin ‘tradhti’.
“Qëndrimi fillestar për LDK-në është edhe përfundimtar: na duhet marrëveshje finale, dhe na duhet marrëveshje që e ka njohjen nga Serbia!”
III. “Në emër të sovranitetit”
Abdixhiku ia përmendi Kurtit edhe qëndrimet e shkelura kur u pyet për Asociacionit. Përveç opozitarizmit të tij ndaj Kurtit që duket se po merr një formë më konkrete, njëjtë po ndodh edhe me problematikën në fjalë.
“Ai duhet ta bëjë të qartë rrugën që do ta ndjek përpara!” – u shpreh ai.
“Ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese (për Asociacionin) dhe duhet procesuar tutje…” – u shpreh ai duke ofruar një qartësi që i ka munguar kampit opozitar.
Se ka më shumë qartësi e konkretësi u vërejt kur përmendi edhe problemin që nuk po përmendet më nga askush: largimin e ish-zyrtarëve serbë nga institucionet e vendit.
“…në emër të sovranitetit, sot kemi më pak sovranitet!” – ishte fjalia më goditëse e tij në këtë kontekst.
Ai potencoi edhe se Qeveria Kurti kishte rënë drejtpërdrejtë në kurth të Serbisë për çështjen në fjalë, duke përmendur edhe mungesën e sigurisë në veri të Kosovës.
IV. Molliqaj
Duket se goditjet e Abdixhikut ndaj Kurtit ishin aq të rënda, sa i shkaktuan dhimbje edhe Dardan Molliqajt, ish-krahut të djathtë të këtij të fundit të kthyer në kundërshtar të rreptë. Apo ndoshta?
Në fakt, fjalët e Abdixhikut për Asociacionin duket se shkaktuan bezdi te Molliqaj. “Po i shtronin rrugën me lule,” – akuzoi kreu i PSD-së. Edhe më në fakt, ka diçka paksa më ‘personale’ mes rreshtash të thënë nga i pari i LDK-së.
I pyetur nëse do të kishte front opozitar, Abdixhiku e hodhi poshtë duke u treguar i ashpër.
“Ne jemi parti të ndryshme. LDK-j nuk ka lidhje me PDK-në e AAK-në,” – u shpreh ai, por lexojeni me kujdes fjalinë e radhës: “Aq më pak me parti tjera joparlamentare…”
Pse duhej ta thoshte “aq më pak” dhe veçanërisht pse duhej ta specifikonte që ishte fjala për “parti joparlamentare”?
Molliqaj nuk e përmbajti gjuhën duke u lëshuar madje edhe në sulme personale.
Kujtojmë se përveç Molliqajt, intervista e Abdixhikut nxiti sulme edhe nga shumë eksponentë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes.