Kosova sot ka hyrë në ditën e 17-të prej kur grupe kriminale vendosën barrikada në veri të vendit. Për pasojë është vështirësuar liria e lëvizjes dhe puna e policisë. Në këtë situatë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it dhe Shefin e EULEX-it.
Në njoftimin dërguar mediave theksohet se në takim është diskutuar për veprimet e strukturave kriminale në veri, ku u konstatua se “liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
ZKM e ngatërron emrin e komandantit të vjetër të KFOR-it me të riun
Në takim kanë qenë të pranishëm edhe zv.kryeminsistri Besnik Bislimi dhe Ministri iPunëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“U bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në njoftim.
Tutje, komunikata e zyrës së kryeministrit thekson se “gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”.
“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata./Botapress.info/