Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të fillojnë urgentisht negociatat për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë disa ditë pasi zyrtarët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë njoftuan se serbët e veriut do të largohen nga institucionet e drejtësisë, të rendit, komunale, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenier për REL.
Duhet kujtuar se gjatë të ditës së djeshme edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, e ka bërë një thirrje të ngjashme.
Në anën tjetër, Vetëvendosje përmes një videoje është munduar të përçojë mesazhin se qëndrimi i saj për çështjen e Asociacionit nuk ka ndryshuar.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndërkohë, në një adresim para gazetarëve para dy ditësh, ka pranuar ekzistencën e planit franko-gjerman por ka shtuar se “nuk e ka refuzuar atë”:
Sipas tij, ishte Serbia ajo që po e refuzonte por në mënyrë të “maskuar” duke orkestruar tensione në veri të vendit. Duhet të kujtojmë se shumë zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë që të suspendojë drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriqin.