Ish-shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, i cili po dyshohet se është i përfshirë në dy skandale të mëdha, ka lëshuar Kosovën. Ai ‘arratisjen’ e tij e ka bërë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, ku edhe ka marrë fluturimin për në Basel të Zvicrës.
Burime të sigurta të Metros dje kanë informuar se Liridon Fandaj e ka lëshuar Kosovën, në momentin që ka dëgjuar se atij do t’i dalë në pah edhe një skandal, ku dyshohet se ai ka dhënë ryshfet që përfshin njerëz me ndikim në sistemin prokurorial.
“Deri në Zvicër e dimë që Liridon Fandaj ka dalë dhe më pas askush nuk ka kontaktuar ende me të”, ka thënë ky burim shumë i sigurt.
Ndërkaq sot gjithashtu burime shumë të sigurta të Metros, kanë bërë me dije se Liridon Fandaj është ‘arratisur’ nga Kosova, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit.
Ai thuhet se ka fluturuar në drejtim të Baselit, me datë 22 tetor ditën e shtunë, në aeroplanin e linjës Kukës-Basel, apo me fluturimin numër ‘W63891‘, në ora 13:20.
Gjithashtu raportohet se familjarët e tij nuk e din se ku është saktësisht Liridoni, vetëm se e dinë që ai ka ikur për në Zvicër.
Emri i Liridon Fandaj në media së fundi është përmendur si sekser që blinin ndikimin e kryeprokurorit të Apelit. Ai dyshohet se i ka marrë 150 mijë euro nga një biznesmen që lënda gjyqësore të kthehet në favor të tij.
Ish-Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, në qershor të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për mashtrim me subvencione.
Fandaj ishte një nga 11 të arrestuarit nga Policia e Kosovës.
Të arrestuarit gjatë këtij aksioni dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’. /Botapress.info/