Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në krye të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Infrakosit, ta vendosë Edona Nahin. Kjo e fundit, po del të jetë përkrahëse e kryeministrit Albin Kurti.
Më datë 14 shtator, Qeveria e Kosovës ka publikuar vendimin, përmes të cilit ka treguar se Edona Nahi do të jetë tani në krye të këtij bordi.
Më poshtë, është dhënë edhe arsyetimi për këtë emërim, ku thuhet se kjo vjen pas dorëheqjes së ish-kryesuesit, Dukagjin Kastrati, i cili mori këtë pozitë jo më shumë se para një muaji.
“Arsyeja e emërimit të Kryesuesit të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të NP, Infrakos Sh.A bëet pas dorëheqjes së ish-kryesuesit z.Dukagjin Kastrati i emëruar Kryesues i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve në NP Infrakos Sh.A me Vendim Nr.17/92 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10 gusht 2022. Emërimi i pasueses në cilësinë e Kryesueses së Bordit bëhet për arsye të vazhdimit të veprimtarisë së Bordit, i cili ka rolin të zhvillojë dhe aprovojë planin e biznesit që ndikon në zhvillimin e politikave strategjike zhvillimore për ndërmarrjen”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Sidoqoftë, Edona Nahi po del të jetë përkrahëse e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Sipas postimeve të saj Facebook të paktën, shihet se ajo ka foto ku shkruan “mekryeministrin”, ndërsa në të tjera, tregon haptas përkrahjen ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Vetëm para një muaji, Qeveria e emëroi anëtarin e LVV-së në bordin e Hidroregjionit. Bëhet fjalë për Feim Fetoshin, të cilin Kurti e kishte prezantuar në vitin 2019 si anëtar, e që dy vite më vonë, ia dha pozitën si anëtar i bordit të kompanisë “Hidroregjioni Jugor”.