Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Quni, është deklaruar për dorëheqjen e Samedin Mehmetit nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Quni është shprehur se rasti për dhunimin e 11-vjeçares nga pesë persona i ka tronditur të gjithë dhe duke e njohur nga afër personalitetin e Mehmetit, është mëse i bindur se arsyetimi i tij mbi dorëheqjen është i besueshëm.
“Duke e njohur nga afër personalitetin e Samedin Mehmetit, integritetin e tij moral dhe profesional, jam mëse i bindur se edhe ai e ka përjetuar rëndë këtë rast dhe besoj se arsyetimi i tij është i besueshëm”, tha Quni për Sinjalin.
Por ai ka lënë të hapur mundësinë se vendimi për dorëheqjen e tij ka qenë i imponuar.
“Sidoqoftë, nuk e përjashtoj mundësinë edhe të ndonjë faktori tjetër shtytës për këtë vendim, por për më shumë, mbetet në diskrecionin e Mehmetit”, përfundoi deputeti i LDK-së.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka ofruar dorëheqjen e tij.
“Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, shkroi Sveçla.
Për largimin e Mehmetit pati reagime edhe nga akterë tjerë politik, të cilët konsiderojnë se dorëheqja e tij ishte e imponuar nga Qeveria.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm, zëvendësdrejtorin, Fehmi Hoti.