Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ku ka thënë se askush nuk e di datën se kur do të votohet.
Ajo ka shtuar se edhe Këshilli i Evropës por edhe Bashkimi Evropian janë në një fazë të jashtëzakonshme për shkak të luftës në Ukrainë.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Datën nuk mund t’ua thotë askush, për shkak se është proces i gjatë që ka nisur sot, proces që mendojmë se Kosova është e përgatitur për ta kaluar sa më shpejt. S’duhet të harrojmë që Këshilli i Evropës, ashtu edhe si BE dhe Evropa në përgjithësi ndodhen në fazë të jashtëzakonshme shkaku i luftës në Ukrainë”, ka deklaruar Gërvalla në RTK.
Tutje, ajo ka thënë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim është pranuar teknikisht, por që ajo nuk e di se sa do të zgjasë procesi.
“Teknikisht kërkesa jonë është pranuar sot nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Se di sa do të zgjasë procesi, varet edhe nga ne dhe përkushtimi ynë për kryerjen e obligimeve që kemi në këtë proces, por edhe në të njëjtën kohë nga gatishmëria e Këshillit të Evropës për ta proceduar kërkesën tonë, por edhe për t’u marrë intensivisht me të”, ka vazhduar ajo.
Me tej, ministrja e Jashtme ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është proces i natyrshëm që duhet të ndodhë dhe se do të punojnë për secilën votë që nevojitet për ta siguruar anëtarësimin.
“Anëtarësimi i Kosovës në KE është proces i natyrshëm që duhet të ndodhë. Ne shumë shpresojmë që edhe Serbia sikur shtetet e tjera të na përkrahin, por s’garantojmë për një gjë të tillë, sepse s’varet nga ne. Do t’punojmë për secilën votë që na nevojitet në fund të procesit për ta siguruar anëtarësimin “ ka thënë Gërvalla.
Kujtojmë se sot, Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.