Pas 65 ditësh e netësh duke fjetur në oborrin e spitalit, Xhavit Llukaj mundi të shkojë pranë të shoqes. I foli, e thirri, iu lut, derdhi lot pranë saj… por Valbona nuk reagoi. Minutat u bënë orë, ditët javë, e muajt po bëhen thuajse një vit. Valbona prej mëse 219 ditësh qëndron në koma pasi u aksidentua nga një makinë në Tiranë.
Xhavidi vijon të rrëfejë historinë e tij tragjike në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”. E kur vjen momenti për të na thënë çfarë provoi për 219 ditë, lotët s’mundet t’i mbajë dot më. Fjalët thyhen ndërsa zëri nxjerr ngashërimat e një vuajtje të pamatë.