Sot, 3 ditë përpara këtij afati, ka pasur një përplasje në distancë mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit dhe shefit të të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, shkruan lajmi.net.
Edhe gjuha që Kurti përdori në deklarimin e tij lë për të kuptuar se nuk janë afër gjetjes së një marrëveshjeje me Serbinë për çështjen e targave, pasi ai u shpreh se “21 prilli është afati i fundit kur do të duhej të merreshim vesh për targat’.
“Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej të merreshim vesh për targat. E di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërsa për aspektet teknike e kemi grupin tonë dhe kryenegociatorin që po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, e di që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme parimi i reciprocitetit si parim për çdo zgjidhje”, u shpreh Kurti.
Por, kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e Petkoviq i cili ka thënë se Kurti “nuk ka kredibilitet për të folur lidhur me reciprocitetin”.
“Kurti nuk ka as besueshmërinë më të vogël të flasë në dialog për ndonjë reciprocitet dhe marrëveshje me Beogradin, sepse njoftime të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një kërcënim i paralajmëruar paraprakisht, i cili nuk ka të bëjë fare me respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë ai.
Më tutje, Petkoviq vazhdon duke thënë se nëse ai do të ishte vërtet i përkushtuar për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe bashkëjetesës në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, do të mundësonte formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Ditë më parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar referuar burimeve të saja diplomatike se një takim do të mbahet në Bruksel përpara datës 21 prill. Nëse deri atë ditë nuk gjendet zgjidhje, Kosova sërish mund të aplikojë masa reciproke ndaj Serbisë, gjë që mund të rrezikojë, siç ka treguar praktika edhe më herët, tensione në veri.
Pala kosovare, sipas raportimeve të REL nuk dëshiron një marrëveshje tjetër të përkohshme dhe thekson se mandati i grupit punues është gjetja e një zgjidhjeje të përhershme dhe jo një zgjidhjeje tjetër të përkohshme. Sipas të njëjtave burime, “ka hapësirë për kompromis”, dhe në tavolinë ka propozime që mund t’i pranojnë të dyja palët.
Një zgjidhje mund të jetë njohja reciproke e targave të Kosovës dhe Serbisë, por ka edhe propozime dhe ide të tjera, për të cilat të dyja palët duhet të vendosin.
Burime diplomatike nga Brukseli gjithashtu kanë thënë se pala kosovare “ka treguar gatishmëri për të pranuar disa nga propozimet”, por se pala e Beogradit ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë të qartë.
Dialogun në nivel teknik midis Kosovës dhe Serbisë e udhëheqin zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. /Botapress.info/