Lumezi shkoi, por Elezi nuk u kthye asnjëherë. As për të shfaqur interesim për Kryeprokuror të Shtetit. Por, ish-prokurori Elez Blakaj mban një sy te zanati i vjetër, përmes shkrimeve. Si e kishte përmendur Blerim Isufajn, se dikur i ka bërë presion për ta hequr një ministër nga aktakuza? Kush do të duhej të zgjidhej Kryeprokuror, sipas tij? Çka thoshte Blakaj për kandidatët dhe kë e lidhte me Lumezin?
Arritja e ekspertizës shtesë në rastin Dehari në Kosovë, deklarohet avokati i familjes
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror të Shtetit, mes pakënaqësive nga vëzhguesit dhe misionet e huaja diplomatike se kjo nuk është bërë në mënyrë të duhur.
Krejt në fillim, kur sapo ishte shpallur konkursi, ish-prokurori special i Kosovës, Elez Blakaj, e ka nisur komentimin e çështjes së zgjedhjes së Kryeprokurorit. Ai s’kishte pritje për zgjedhje fer nga KPK-ja. Në fakt, për këtë institucion kishte akuzat nga më të rëndat.
Prokurori, i cili njihet për përpilimin e aktakuzës për veteranët e rrejshëm të luftës, ishte zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas kërcënimeve dhe dorëheqjës. Edhe pse kthimin e tij, Kryeministri Albin Kurti, gjatë fushatës së vitit 2019, e kishte bërë kauzë të qeverisjes së tij, kjo nuk ndodhi.
Blakaj në Kosovë lajmërohet vetëm përmes Facebook-ut, kohë pas kohe. Shkrimet e tij kanë të bëjnë kryesisht me Kryeprokurorin e deritanishëm, Aleksandër Lumezin dhe me Këshillin Prokurorial.
Në shkurt të këtij viti, Gazeta Express e ka kontaktuar Blakajn për ta pyetur rreth përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri, e ai ka thënë se “kur hapet konkursi i vërtetë, atëherë mund të flasim”.
Në Facebook, ish-prokurori shkroi se pritej që edhe në këtë rast të vazhdonte ndarja e pozitave dhe vendosja e njerëzve të tyre mes Kryeprokurorit dhe Këshillit Prokurorial.
“Qasja e Këshillit Prokurorial, sjelljet dhe veprimet e tyre, skandalet e shumta, vendimet e kundërligjshme, konflikti i interesit, transferet dhe avancimet me standarde të dyfishta, qartë kanë shpërfaqur fotografinë e vërtetë dhe mungesën e integritetit të këtij institucioni”, shkruante Blakaj në janar.
Ai akuzonte “grupin e njëjtë të personave” se po e përgatisnin emrin e njërit, për ta bërë Kryeprokuror.
“Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë me interes të lartë publik, andaj edhe detyrat dhe përgjegjësit qe ka Kryeprokurori janë drejtpërdrejtë të ndërlidhura dhe në shërbim të publikut, e jo të grupit të njejtë të përsonave të cilët po përgaditen ta zyrtarizojnë emrin e personit i cili është pjesë e këtij grupi!”.
Nuk dihet se a e kishte fjalën për Blerim Isufajn, që tash Këshilli Prokurorial e zgjodhi Kryrprokuror. Por, në shkrimin për dorëheqjen e tij, Blakaj e kishte përmendur me emër Isufajn.
Ish-prokurori e akuzonte Blerim Isufajn, për ndërhyrje në rastin e veteranëve. Sipas Blakajt, Isufaj i kishte bërë presion që të mos e fuste në aktakuzë ish-ministrin e FSK-së në atë kohë, Rrustem Berishën.
“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar Blakaj.
Ish-prokurori Blakaj kishte ofruar dorëheqjen pas kërcënimeve publike të politikës për aktakuzën për veteranët e rrejshëm, ku akuzoheshin top-komandantët dhe gjeneralët, që kishin qenë pjesë e Komisionit që aprovoi 60 mijë veteranë të luftës.
Në kohën e dorëheqjes së Blakajt, Blerim Isufaj udhëhiqte Këshillin Prokurorial të Kosovës. Atëkohë, ky institucion kishte dalë me një komunikatë ku mbronte Kryeprokurorin Lumezi dhe thoshte se kishte “tendenca për një njollsur punën” e KPK-së dhe të tij.
“Tendenca për të njollosur punën e Këshillit Prokurorial dhe organeve të tij, si dhe përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit nga kushdo qoftë, përfshirë edhe grupe politike janë të papranueshme dhe i cilësojmë si ndërhyrje në punën tonë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në komunikatën e këshillit Prokuorial.
Për Isufajn është raportuar para dy vitesh se ishte favorizuar nga Këshilli Prokurorial, kur më pas u bë Kryeprokuroror i Prokurorisë Speciale.
Ndërkaq, Blakaj, ka pasur një favorit të tij mes kandidatëve që po e synonin pozitën në krye të Prokurorisë së Shtetit. Ai është Armend Hamiti për të cilin ka shkruar se, “Pjekuria profesionale, integriteti dhe guximi janë shëmbulli më i mirë më të cilët identifikohet Armend Hamiti – kandidat për Kryeprokuror të Shtetit!”.
Kryeprokurorit Lumezi i erdhi fundi në këtë pozitë, në prill. Zgjedhja e KPK-së tash pritet të dekretohet ose jo nga Presidentja Vjosa Osmani.