Në praninë e një audience të gjerë që përfshinte figura nga kultura, arsimi, diaspora,
krijues, miq e bashkëpunëtorë, si dhe institucionet lokale, në ambientet e Kuvendit
Komunal të Klinës, u mbajt promovimi i librit më të ri publicistik “KTHIMI I TRURIT ” nga
autori, analisti dhe veprimtari i mirënjohur, Ramiz Selimi.
Me pjesëmarrje promovimin e nderuan vet Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun
Elezaj, me stafin e tij drejtues, të drejtorëve: Binak Syla, Enver Berisha, Faruk Smajli, si
dhe Driton Bardhecin, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë që ishte angazhuar
personalisht në mbarëvajtjen e këtij evenimenti, përmes njeriut që punon shumë në
prapavijë zotit Alban Gashit.
Nga folësit ky botim u vlerësua si kontribut domethënës në pasqyrimin e përpjekjeve për
të lidhur trurin e shpërndarë me zhvillimin e vendit. Vepra sjellë, ese, opinione, intervista
me personalitete të ndryshme, nga diplomat dhe politikan evropian, si dhe intelektual dhe
përfaqësues të biznesit.
Ishte një aktivitet i organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës zotit Prof. Dr.
Zenun Elezaj, në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë dashamirëse, përballë figurave të
njohura akademike, intelektualëve të rajonit dhe dashamirëve të librit.
Vepra “KTHIMI I TRURIT ” është një libër publicistik me karakter reflektues dhe
angazhues, i cili trajton temën e diasporës shqiptare dhe potencialin e saj për të
kontribuar në zhvillimin ekonomik, arsimor dhe diplomatik të Kosovës. Në thelb, “Kthimi i
trurit” është thirrje për reflektim mbi potencialin e pashfrytëzuar të mërgatës shqiptare.
Është platformë mendimi që nxit debat, vetëdije dhe bashkëpunim për një të ardhme më
të ndriçuar për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Promovimin e udhëhoqi moderatorja e re Agnesa Vishaj.
Fjalimet e panelistëve, reflektime mbi vlerën e veprës[
Në panelin promovues morën fjalën disa personalitete me peshë, të cilët ndriçuan vlerën e
librit dhe rolin e autorit në jetën publike:
Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi lart kontributin e autorit jo
vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në jetën shoqërore, kulturore dhe atdhetare. Ai
theksoi se Komuna e Klinës gjithnjë do të mbështesë nismat e tilla që kanë për synim ngritjen
e vetëdijes dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. “Ramiz Selimi është një zë që i duhet shoqërisë
sonë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se “Kthimi i Trurit” është një pasqyrë e vërtetë e kohës që
po jetojmë.
Prof. Safet Gerxhaliu, një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore
në Kosovë, foli për rrugëtimin jetësor dhe profesional të autorit. Ai e përshkroi Selimin si një
figurë, si urë ndërmjet diasporës dhe institucioneve vendore, që ka dhënë shembullin e
bashkëpunimit konkret për zhvillimin e Kosovës. “Ramizi është dëshmi e asaj se diaspora nuk
është vetëm burim financiar, por edhe burim i mendjes, përvojës dhe ideve të mëdha,” tha
Gerxhaliu.
Prof. Prend Buzhala, recensent dhe redaktor i librit, analizoi strukturën dhe përmbajtjen e
veprës me një qasje kritike dhe përkushtim profesional. Ai evidentoi temat kryesore që trajton
libri: analizat politike, sfidat e mërgimtarëve, intervistat me personalitete të rëndësishme dhe
ngjarjet me peshë historike. Ai vlerësoi gjuhën e autorit si të qartë, të komunikueshme dhe të
angazhuar, që arrin të ndërtojë ura mes lexuesit dhe realitetit. “Kjo vepër është më shumë se
një libër, është një apel i sinqertë për kthesë kulturore dhe morale,” theksoi Buzhala.
Z. Esat Loshaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, në kumtesën e tij u ndal tek
dimensioni qytetar i veprës. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” e tejkalon sferën e publicistikës
dhe hyn në fushën e angazhimit të thellë intelektual. “Në çdo faqe të këtij libri ndjehet zëri i
një njeriu që nuk pranon të heshtë përballë deformimeve sociale dhe humbjes së idealeve,” tha
Loshaj. Në shenjë mirënjohjeje, ai i dhuroi autorit një dekoratë për kontributin e çmuar në
letërsi dhe në promovimin e vlerave shqiptare.
Fjalimi i autorit, një rrëfim përkushtimi dhe shprese
Në fjalën e tij falënderuese, autori Ramiz Selimi vuri në pah se libri është ndërtuar mbi
përvojat e tij personale në mërgatë. Ai theksoi se “Kthimi i Trurit” nuk është vetëm një
përmbledhje analizash apo shkrimesh të rastit, por një përpjekje për të zgjuar ndërgjegjen
kolektive dhe për të rikthyer besimin në forcën e mendjes shqiptare.
Selimi solli në kujtesë përvojat e tij nga jeta në mërgatë, ku për vite me radhë ka ndërtuar ura
bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve vendore. Ai ndau një ngjarje domethënëse:
organizimin e një vizite të delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Austri në një kohë kur
vendi nuk kishte ende ambasadë në Vjenë. Ai tregoi me emocion për pritjen zyrtare që
delegacioni mori nga autoritetet austriake, duke përfshirë kryetarin e Landit të Austrisë së
Epërme, Josef Pühringer, dhe takimet me kryeparlamentaren Barbara Prammer dhe ministrin e
jashtëm austriak, ngjarje që shënuan një hap të rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të
Kosovës.
Por përtej vizitave politike dhe ceremoniale, autori theksoi edhe përpjekjet konkrete për
nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis Austrisë dhe Kosovës, ku organizuan vizita të
shumta në kompani të ndryshme për të parë mundësitë e partneritetit në fusha të ndryshme
ekonomike. Sipas Selimit në bashkëpunim me ndërmarrësit austriak u identifikuan mundësi
konkrete investimi, u përgatitën propozime të strukturuara. Megjithatë përpjekjet mbeten
vetëm në letër, pasi men ndërrimin e qeverive gjithçka kthehej në pikën zero.
Një pjesë e rëndësishme e librit është edhe analiza e modelit irlandez të kthimit të trurit, ku
ish-presidentja Mary Robinson ndërmori politika konkrete për të ndalur emigrimin dhe për të
rikthyer në atdhe miliona irlandezë. Ky model, sipas autorit, duhet të shërbejë si frymëzim për
Kosovën, që ende përballet me ikje masive të kuadrove dhe rinisë intelektuale.
Mbyllja e ceremonisë, një premtim për vazhdimësi
Në përfundim të aktivitetit, të gjithë të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e librit, si simbol
mirënjohjeje dhe si nxitje për ta përhapur mesazhin e tij më gjerë në shoqëri. Ceremonia u
mbyll mes duartrokitjesh të ngrohta, me ndjenjën se kjo vepër nuk do të mbetet vetëm në
raftet e bibliotekave, por do të jetojë si kujtesë dhe frymëzim për një epokë të re mendimi e
veprimi kombëtar.
“Kthimi i Trurit” nga Ramiz Selimi, është më shumë se një libër, është një lëvizje mendore,
një betejë paqësore për kthimin e mendjes dhe moralit në trungun shqiptar. Dhe kjo betejë, me
nisma të tilla, është vetëm në fillim.
Nga MBA Dafina Selimi
Të tjera
Aktuale
Krejt çka u gjet në banesën e zyrtarit komunal në Pejë
Një bastisje e Policisë në Pejë
Aktuale
Ishte djalë hasreti, ky është i riu që vdiq në aksidentin e sotëm në Dollc
Një aksident i rëndë komunikacioni i
Aktuale
Arrestohet zyrtari i Komunës së Pejës, u filmua duke konsumuar lëndë që dyshohet se janë narkotike
Policia e Kosovës ka arrestuar një