Nazmi Grabovci, djali i vëllait të ish-deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, është gjetur sot pa shenja jete brenda një veture në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Dyshimet e para janë se 50-vjeçari ka kryer vetëvrasje, por që ende nuk dihet motivi që e ka shtyrë ta marrë këtë veprim.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se tashmë janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, në objektet që kanë qenë afër vendit ku u gjet i vdekur viktima.
Personi që u gjet i vdekur në parking në Prishtinë është nipi i Adem Grabovcit
Sipas të njëjtave burime, në vendin e ngjarjes është gjetur arma me 12 fishekë, si dhe një gëzhojë që dyshohet se është shkrepur nga viktima për t’i dhënë fund jetës.
Arma, fishekët dhe gëzhoja e gjetur janë konfiskuar nga Policia dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, për të mbledhur prova që zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur ky rast tragjik.
Edhe nga Policia e kanë konfirmuar se ka elemente të vetëvrasjes, por në koordinim me Prokurorinë po merren veprimet e nevojshme hetimore.
“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”.