Rreth 5 mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë bërë shtetit 1 mijë padi për mos pagesë të shujtës së ushqimit, pagës së 13, dhe pagës jubilare.
Avikati Kastriot Feka, i angazhuar nga sindikata e Policisë për të përfaqësuar policët në këto lëndë tregon se ka shumë të drejta të cilat u mohohen policëve të Kosovës, por paditë i kanë ushtruar me vetëm këto tri kërkesa, për të mos i rënduar proceduralisht ato.
“Ne si avokat të angazhuar prej sindikatës i kemi mbi 5 mijë policë që i përfaqësojmë. Për shkak që mos me e ngarku gjykatën shumë, kemi shkuar me nga pesë persona në secilën padi. Janë rreth 1 mijë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Jemi në pritje të tyre, edhe pse ligji e thotë se këto janë lëndë nga marrëdhënia e punës dhe u jep prioritet. Por për shkak të numrit të madh të lëndëve ende nuk ka filluar procesi i tyre, por presim që kjo të ndodh së shpejti”, ka thënë Feka në një prononcim për Albanian Post.
Paditë e para janë bërë në mars të vitit 2021, dhe deri më tani janë trajtuar disa raste në disa nga gjykatat themelore në disa qytete.
“Janë diku 5-6 raste. Në gjykatën e Prizrenit, Kaçanikut dhe në gjykatën e Vushtrrisë. Këto kanë prodhuar aktgjykime pozitive, ku janë vërtetuar se ju takojnë këto të drejta, por se avokatura shtetërore ka bërë ankesë, dhe aktualisht gjenden në Gjykatën e Apelit duke pritur një përgjigje”, ka thënë avokati i Sindikatës së Policisë së Kosovës. /Botapress.info/