Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, është deklaruar pas takimit ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në deklaratën e tij, Borrell theksoi se palët, pra Kosova dhe Serbia, janë pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Megjithatë, ai vlerësoi se ende ka dallime se si të arrihet deri te mbajtja e zgjedhjeve.
Në deklarimin e tij, Borrell tregoi se nuk ka pasur takim tre-palësh mes tij, Kurtit dhe Vuçiqit. Tutje, diplomati Borrell theksoi se i ka vendosur mbi tavolinë disa propozime konkrete.
“Pas katër orë takime, unë mendoj që të dy liderët e kuptojnë rreptësinë e situatës. Por ashiqare janë në situata të ndryshme, në qasje të ndryshme, në interpretime të ndryshme mbi shkaqet dhe pasojat dhe zgjidhjet. Në mënyrë që të përpiqemi të shkojmë përpara, unë kam vendosur propozime konkrete mbi tavolinë bazuar mbi gjendjen e lartëcekur të BE-së. Dhe lista në këtë kontekst, ne jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutimin mbi modalitetet dhe hapat si të arrijmë atje (te zgjedhjet v.j.). Ende nuk jemi aty, por së paku ne e dimë si të ecim tutje, cilat janë dallimet dhe alternativat mbi procedurat.” – deklaroi ai.
Kryediplmati i BE-së vlerësoi se mbledhja e sotme ishte një takim për menaxhimin e krizës dhe shtensionimin e situatës. Andja, sipas Borrellit, takimi u fokusua më shumë në si dhe kur të shtensionohet situata mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell pas takimit: Zgjedhje të reja sa më shpejt në veri, situata të shtensionohet
“Mbledhja e sotme, nuk u fokusua në çka, por në si dhe kur. Si të shtensionojmë situatën në terren, si ta shtensionojmë atë në hapa konkret, si të organizojmë zgjedhje të reja dhe sit ë rikthehemi në dialog dhe zbatim të të gjitha obligimeve të dialogut në veçanti zbatimin e marrëveshjes mbi rrugën e normalizimit.” – tha ai.
Në krejt këtë takim të gjatë 4 orësh, Borrell njoftoi se është folur edhe për arrestimet, duke theksuar se keqtrajtimi i të burgosurve është plotësisht i papranueshëm.
“Ne biseduam edhe për arrestimet. Unë e nënvizova se arrestimet qoftë arbitrare ose ligjore, ose keqtrajtimi i të burgosurve, është plotësisht i papranueshëm.” – theksoi ai.
Borrell njoftoi se i ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të kidnapuar nga Serbia (ndonëse Borrell përdori termin “mbajtje”).
“Unë gjithashtu e theksova te presidenti Vuçiq se tre policët e Kosovës të mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Dhe për të përmbledhur, ne kemi identifikuar rrugët përpara” – deklaroi ai.
Kryeministri Kurti ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me takimin në Bruksel. Ndërsa Vuçiq është deklaruar pak më herët për këtë temë. Siç raportoi Radio Evropa e Lirë,Vuçiq ka theksuar se “nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.”
“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, sqaroi Vuçiq.