Lidhja Demokratike e Kosovës ka festuar sot 34 vjetorin e themelimit, ku kreu Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij duhet të ruajë origjinalitetin e vetë të afrimit të njerëzve dhe bashkëpunimit.
Para të pranishmëve, Abdixhiku është shprehur se LDK-ja ishte përgjigje e thirrjes momentale të historisë dhe se përmes LDK-së, u krijua besëlidhja popullore, në krye të secilës qëndronte prijësi historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.
“LDK ka njerëz të ndershëm, patriotë, të dijshëm, të urtë por kokëfortë e insistues për fatin e popullit dhe të vendit tonë. Njerëz që gjejnë gjuhën e bashkë-komunikimit e unitetit shoqëror në Kosovë, e që marrin vendime të matura, të guximshme, historike sikurse të tri dekadave të shkuara.” – tha Abdixhiku.
Tutje i pari i LDK-së është shprehur se LDK-ja duhet të gjejë e kultivojë proaktivitetin e vet politik.
“Jo për të qenë forcë plotësuese e ndonjë partie tjetër, as për të kërkuar rahatinë opozitare, por për të qenë forcë prijëse larg nga partitë e tjera. Ky është vendi ynë origjinal. Ky është misioni ynë.” – ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku tha se “kjo fitore e madhe s’është e lehtë; por ajo duhet t’i vijë Kosovës sa më parë”.
“Për ta bërë këtë, ne duhet t’i kthehemi qytetarëve tanë; të njëjtëve që për tri dekada na dhanë mbështetje sepse besojnë e mendojnë si ne. Sepse ne, besojmë e mendojmë si ta.” – ka thënë ai.
Në fund, Abdixhiku i ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë për kontributin e dhënë për më shumë se tri dekada dhe ka ftuar të gjithë që të angazhohen në rrugëtimin historik të LDK-së, fitoren e madhe të dekadës së katërt siç e ka quajtur ai.
“Kjo fitore përmbushë ëndrrën tonë politike të ditëve të para: Kosova një shtet i lirë, i pavarur e sovran, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha i pari i LDK-së.
Ndërkohë, në këtë përvjetor kanë reaguar shumë personalitete të ndryshme.
Njëri ndër ta edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili ishte pjesëmarrës në themelimin e LDK-së.
Krasniqi, që ishte emër kryesor në formimin e LDK-së,përmes disa rreshtave ka treguar për këtë ditë, madje ai ka folur edhe për mënyrën si ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte pranuar të ishte kryetar i LDK-së.
“Ai më 23 dhjetor 1989, pesë minuta para se të hapej Kuvendi themelues, nën presionin e të gjithëve që ishim në sallë, kund pesëmbëdhjetë veta, pranoi të ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Propozimin për kandidaturën e tij, për sekretarin dhe kryesinë, ma ngarkuan që t’i bëja unë, në emër të një komisioni kandidues.” – ka shkruar Krasniqi.
“Kështu atë ditë dhjetori 1989, në një kuvend themelues tërësisht të improvizuar, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, në një sallë ku të mirrej fryma, Ibrahim Rugova hyri në dyert e mëdha të politikës, duke u bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me çka do të ndryshonte dinamika dhe filozofia politike e këtij vendi. Por, do të ndryshonte, madje shumë, edhe Rugova vetë.” – ka shkruar ai ndër të tjera.
Në 34-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar edhe ish-kryeministri apo ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.
Sipas Mustafës, sot Kosova shënon përvjetorin e demokracisë. Në shkrimin e tij, Mustafa ka përmendur Ibrahim Rugovën, ish-kryetar i LDK-së, dhe UÇK-në.
“Urimet partiake u takojnë themeluesëve, si dhe të gjithë veprimtarëve dhe qytetarëve që i besuan LDK-së. Por janë edhe për të gjithë ata që e gëzojnë sot Demokracinë, Lirinë dhe Pavarësinë, të ideuara me programin politik të LDK-së e të fituara së bashku me UÇK-në dhe aleancën perëndimore.” – shkroi ai.