I kanë bërë 1 vit qeverisje, por ende nuk janë mësuar me mediat dhe gazetarët. Zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, shpesh edhe me funksione shtetërore janë kacafytur me mediat, kanë kritikuar këto të fundit, madje edhe me gjuhë që kalon deri në linçim publik të mediave dhe tentim për denigrimin e tyre.
Qeverisja 1 vjeçare e Lëvizjes Vetëvendosje është karakterizuar me disa ballafaqime të medias me zyrtarë të lartë të këtij subjekti politik edhe në institucione, shkruan lajmi.net.
Por, le të kthehemi tek beteja medies me pushtetarët aktual. Krejt në fillim të marrjes së detyrës, qeveria Kurti 2 u përball me kritika të mëdha sa i përket gjendjes me pandeminë COVID-19, mosblerjen e vaksinave dhe manovrimin me situatën.
Në atë kohë, Gazeta Insajderi kishte publikuar dokumente të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat pretendonin se ish-ministri i Shëndetësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia kishte zvarritur nënshkrimin e kontratës për sigurimin e vaksinave anti-Covid në Kosovë. Kjo bëri shumë bujë.
Lidhur me këtë rast, policia e Kosovës zbarkoi në zyrat e Gazetës Insajderi dhe intervistuan drejtorin e këtij mediumi, gazetarin Parim Olluri. Kjo nga ekspertët e medias u cilësua si shkelje e skajshme e ligjieve për gazetarët dhe mediet.
Por, kjo nuk ishte e tëra. Rënia për 8 vende sa i përket lirisë së medies në Kosovë mund të reflektohet edhe në një rast tjetër. Atë të intervistimit të gazetarit Mentor Gjergjaj.
Ai u intervistua në Prill të vitit 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për çka kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që shprehën shqetësimin lidhur me këtë çështje, por si shumë çështje të tjera, edhe kjo mbeti në heshtje.
E Lëvizja Vetëvendosje problemet me mediat i ka të shumta. Gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Mitrovicë kishte linçuar portalin lokal “Jepi Zë” duke thënë se po i shërben një partie të caktuar politike. Lidhur me këtë kishte reaguar edhe AGK-ja, duke e quajtur të papranueshëm një sjellje të tillë.
Haki Abazit të Lëvizjes Vetëvendosje “problem” i doli me “Albanian Post”. Sipas raportimeve në media, Abazi thuhet të ketë kërcënuar një gazetar të mediumit, derisa një audioincizim u publikua në media.
Grupi, tashmë i mbyllur #MeKryeministrin e kishte nisur një fushatë kundër disa gazetarëve. Ata i kishin quajtur këta gazetarë “të Klanit Pronto”, përçka ngjalli reagime të mëdha në opinionin publik. Këtij grupi, përkrahje të hapur i kishte dhënë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
E deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja, duke harruar që është vet me partinë e tij në pushtet, i kishte quajtur mediat në Kosovë “pro-establishment”, duke i kritikuar këto të fundit, vetëm se e kritikonin qeverinë e Kosovës.
“Demant: portalet pro-establishment po qarkullojnë një lajm të pavertetë se kinse me propozim të Armend Muja dhe Mimoza Kusari Qeveria do të paguaj faturat e rrymës në veri. Ne fakt është e kunderta – ishte opozita që kerkonte që Qeveria të paguaj. Në Kuvend ka kaluar propozimi që 1) shpenzimet për devijim të energjisë paguhen nga mjetet vetanake të Kostt dhe (2) Qeveria del me plan veprimi për inkasim të faturave në afat prej 6 muaj”, tha Muja në një postim në Facebook.
E duket se gjithë kjo përplasje e zyrtarëve të LVV-së me mediet është shpjeguar nga deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci. Ai në një paraqitje televizive kishte deklaruar se “mediat i janë turrë” kryeministrit Kurti.
“Ne duhet të flasim edhe për arritjet. Por, mediat i janë turr vetëm Albin Kurtit, duan ta shohin aty ku është me së keqi. Po duan vetëm që të shohin çfarë është keqpërdor, mirëpo ketë nuk po mund ta gjejnë askund”, kishte thënë ai.
Kohë për t’u marrë me mediat i doli edhe ideologut të VV-së, Hysamedin Ferajt. Ai kishte shkruar në Facebook’un e tij se disa gazetarë “punojnë falas për Serbinë”. Kjo gjuhë e tij ishte dënuar ashpër nga AGK-ja.
Me mediat probleme pati edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ministria që ai e udhëheq gjithashtu e udhëheq procesin e hartimit të projektligjit të ri të pagave, e drafti i këtij projektligji u publikua nga mediat javë më parë. Ai këtu i kishte kritikuar mediat duke i quajtur “pseudolajme” publikimet.
Probleme me mediat pati edhen një deputet i VV-së, Enver Dugolli. Ai kishte kritikuar mediat që raportuan se në Ministrinë e Mbrojtjes si këshilltar ishte emëruar një person i afërm i kryeparlamentarit Glauk Konjufca e që u tha të jetë axha i tij. Ai në postimin e tij kishte thënë “E paskan “zbuluar” ujin e nxehtë.”, për gazetarët.
Gjuhë më të ashpër ndaj mediave kishte përdorë Sami Kurteshi i VV-së, përfaqësues i këtij subjekti politik në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ai në një postim në Facebook të titulluar “KRIMI MEDIAL NË KOSOVË”, kishte akuzuar mediat se po dezinformojnë e po keqinformojnë.
“KRIMI MEDIAL NË KOSOVË! Krimi – nuk është informatë! Vjedhja – nuk është informatë! Mashtrimi – nuk është informatë! Gënjeshtra – nuk është informatë! Shpifja – nuk është informatë! Fyerja – nuk është informatë! Fshehja e vrasjeve politike nga pushteti vrasës – nuk është informatë! Përkrahja e vrasësve kriminelë – nuk është informatë! Arsyetimi i copëtimittë Kosovës – nuk është informatë! Zhvatja e pronës publike – nuk është informatë! Injoranca profesionale – Gënjeshtra – nuk është informatë! E shumë veprime të tjera kriminale – nuk janë informatë! As janë lajm! Janë thjeshtë krim njerëzor e ligjor! Fatkeqësisht, kjo është fytyra, përmbajtja, shpërfaqja dhe veprimi i shumicës së mediave, sidomos atyre audiovizuele dhe elektronike në Kosovë. Në këtë shumësi krimi medial, moti, shumë moti janë bërë gati të padukshëm gazetare/ët dhe mediat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mediat, shumica absolute e tyre ishin dhe janë njëkohësisht produkt dhe mashë e krimit të organizuar institucional të pushteteve njëzetvjeçare në Kosovë. Prandaj, nuk mund të ketë as përmbajtje, as shpërfaqje e as veprime të tjera nga krijuesit dhe sponzorët e vet. Krimi medial dhe i mediave në Kosovë nuk mund të mbetet temë tabu në Kosovë! Tregu medial në Kosovë nuk lirohet ngakrimi brenda vetes pa një katarzë të brendshme.”, kishte shkruar Kurteshi në Facebook.
Rasti më i fundit ishte ai i shefit të stafit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipit i cili i quajti mediat ” të ngjashme biznese kriminale”. Dalipi u kishte bërë thirrje atyre që i ai i ndanë si “qytetarë të dinjitetshëm” t’i bojkotojnë këto media.
Sulmi i Dalipit ndaj mediave u dënua ashpër nga Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës, duke e cilësuar të papranueshme këtë sjellje të tij.
Nga pushteti aktual në Kosovë, i cili ka dalë i gjithi nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 probleme me mediat patën edhe nga Presidenca, siç ishte rasti i shefit të stafit të Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, Blerim Velës.
Por, zyrtarëve të VV-së, një mësim të vyeshëm ua dha kreu i partisë dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në 1 vjetorin e qeverisë së tij lavdëroi punën e gazetarëve, duke i falënderuar ata.
“Në njëvjetorin e qeverisë sonë, dua t’i falënderoj të gjitha gazetaret e gazetarët, kameramanët e redaktorët e mediave tona të cilët me raportimet, komentet e kritikat e tyre kanë qenë vigjilent ndaj deklaratave tona dhe kanë kontribuar në debatin demokratik dhe llogaridhënien institucionale. Uroj për shtim të bashkëpunimit në vitin e dytë të punës sonë.”, theksoi Kurti.
Këto, e shumë raste të tjera, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, njerëz me pozita institucionale, aktivistë e grupe të organizuara të përkrahësve kanë dalë publikisht në linçim ndaj mediave dhe tentim për denigrimin e punës së tyre.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në vitin 2021 ka pasur rritje të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve e medieve në Kosovë.