Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave në veri është keqpërdorur nga skena politike në Kosovë.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Qalaj në Info Magazine të Klan Kosovës tha se ky operacion, i cili ka të bëjë me zbatimin e urdhëresave nga gjykata, ka marrë ngjyrim elektoral.
Sipas Qalajt, në kumtimin e rezultateve të këtij operacioni nuk do të duhej të përfshihej as ministri i Brendshëm.
“Tentativa që përmes këtij operacioni të ndikojnë në fushatën elektorale, në votuesit, me qenë se zgjedhjet i kemi pas tri katër ditësh është e qartë. Dhe është shumë keq kur kemi të bëjmë me Policinë e Shtetit, të cilët punojnë në një institucion shumë kredibil dhe shumë i besueshëm në vend, mirëpo që në kohën e fundit në mënyrë të hapur është duke u atakuar nga pushteti aktual”, tha ai.
Qalaj tha se në veri nuk është bërë vlerësim i mirë i rrezikut, marrë parasysh edhe operacionin e dështuar për targat, si rezultat i marrëveshjes në Bruksel, gjë që ka trimëruar bandat kriminale serbe./Botapress.info/