Një javë pas nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku në seancat e para kanë përfunduar deklaratave hyrëse, gjykimi do të vazhdojë sot, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë paraqitjen e provave kundër të akuzuarve.
Seanca do të vazhdojë edhe më 12 dhe 13 prill, e më pas javën tjetër, më 18, 19 dhe 20 prill.
ZPS-ja ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë. Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”
Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.
Prokurorët e specializuar ishin të parët që nisën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e ngritur ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.
Ata thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.
Sipas prokurorisë, kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale” kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.
Prokuroria argumentoi se qëllimi i përbashkët i kryerjes së krimeve nga të pandehurit ishte që ata të “fitonin pushtet në luftë, në Kosovë dhe ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.