Në mbledhjen e tyre të jashtzakonshme sot, anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë licencuar projektin e dytë të erës në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 34.47 megavatësh.
Kësisoji, pas këtij vendimi projekti i dytë i erës në Bajgorë mund të fillojë prodhimin. Ky është një lajm i jashtzakonshëm, tani që cmimet e rrymës në bursë janë jashtzakonisht të larta, dhe nevoja për këtë produkt gjithmonë e në rritje.
Bordi i ZRRE-së ka lejuar operimin e projektit Selaci 2 të SOWI Kosovo në periudhë 40 vjeçare, pasi kompania ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme për përmbyllje të procesit të autorizimit.
Dy projekte të SOWI Kosovo tashmë janë licencuar, i treti pret licencimin së shpejti
Ndërmarja kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’ ka ndërtuar tri projekte të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatësh.
Pas vendimit të sotëm, dy nga këto projekte janë licencuar. Ndërsa projekti i parë ka filluar prodhimin pak kohë më parë, i dyti, apo projekti i licencuar sot, së shpejti do të fillojë prodhimit dhe futjen e sasive të prodhuara në rrjet. Ende mbetet licencimi i projektit të tretë me 34.47 megavat të instaluara, që pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.
Licencimi i projekteve ishte paralajmëruar edhe nga ministrja Rizvanolli gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Për tu përballur me krizën energjetike, ministrja ka thënë se KEK është duke bërë përpjekje maksimale për të futur në operim njësinë A3, ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës bashkë me ZRRE-në janë duke e marrë me prioritet licencimin e projekteve tashmë të ndërtuara të erës në Bajgorë.