Pas reduktimeve të shumta të energjisë-elektrike anembanë vendit, ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Zemaj ka lidhur ndërprerjen e rrymës me Qeverinë Kurti dhe premtimet e dhëna gjatë fushatës. Ai tha se fuqia transformuese e 14 shkurtit është me rikthimin e reduktimeve të rrymës.
“Shpresë për vetëm dy orë, jo më shumë”, shkroi ai.
Duhet përkujtuar që gjatë ditës së sotme KEDS ka njoftuar për fillimin e ndërprerjes së energjisë-elektrike.
KEDS-i ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit, sistemi elektro-energjetik i vendit është mbingarkuar tej mase.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut – KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike.
“Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë”, thuhet në njoftim.
/Lajmi.net/