Zeja e punimit të djepave, drejt shuarjes

Zejet e vjetra tradicionale që janë edhe asete të trashëgimisë shpirtërore në vazhdimësi rrezikohen nga zhdukja. Përderisa industrializimi e ka bërë të veten, institucionet bashkë me ata që merren me këtë fushë vazhdimisht apelojnë që zanatlinjtë të kenë edhe mbështetje nga shteti në mënyrë që të ruhet tradita.

Në një raport të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për zdrukthëtarët djepapunues apo kutixhitë, jepen goxha detaje për këtë profesion ku si produkt dominojnë djepat. Aso me motive të ndryshme prej atyre pagane e më pas, janë një trashëgimi që dita-ditës po zbehet, shkruan Koha

Pas një inspektimi që kanë bërë në Çarshinë e Gjakovës, inspektorët Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj kanë nxjerrë disa kontestime.

“Zeja e vjetër në fjalë vazhdon të ushtrohet në pjesë të ndryshme të Kosovës, por që nuk ekziston ndonjë regjistër i personave që e ushtrojnë këtë zeje të vjetër dhe nuk ka informacione nëse këto zeje ruajnë teknikat tradicionale të punës. Krahas kësaj zeje kanë ekzistuar edhe shumë zeje të vjetra e të cilat janë shuar si ajo e nallbanxhinjve, kazanxhinjve e të tjerë”, shkruhet në Raportin që ia kanë përcjellë në fundvitin e kaluar Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve vartëse të saj që merren me trashëgimi kulturore.

Pas vizitës te zanatliu Ruzhdi Qarri, dyshja ka mësuar se kjo zeje mendohet të ketë filluar si veprimtari rreth vitit 1870 tek ajo familje. Të dhënat që ata i kanë marrë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, shpalosin se deri në vitet ’70 në këtë qytet kanë funksionuar rreth 70 kutixhi e më pas kjo zeje ka pësuar rënie. Në raport bëhet e ditur se në këtë punëtori punohen djepat, kutitë, sofra mesatare dhe punime të vogla artizanale me dekor.

“Pronari nuk ka ndonjë trashëgimtar që kryen këtë punë dhe deklaron se në momentin që nuk mund të ushtrojë këtë zeje për shkak të moshës së shtyrë, lokali duhet të mbyllet, që praktikisht ka ndikim direkt në shuarje të zejes”, shkruhet në Raport. Në këtë rast shtohet se s’ka ndonjë kurs që do të shërbente që kjo zeje të trashëgohet.

“Rreziku i kësaj zeje që të zhduket është bukur i lartë për faktin e mungesës së interesimit për vazhdim të kësaj tradite, kryesisht mungesa e leverdisë ekonomike”, shkruhet në Raport.

Dyshja sipas këtij dokumenti ka shikuar disa modele të shteteve të ndryshme që përkrahin zanatlinjtë e trashëgimisë shpirtërore.

Sipas tyre në modelin japonez zejtari që certifikohet si “Thesar Kombëtar i Gjallë” me vendim të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, të njëjtit i jepet një shumë vjetore në formë page. E modeli i shtetit francez i jep etiketë shtetërore prodhimeve të artizanëve, ndihma financiare, e po ashtu një nga ngjarjet më të veçanta është organizimi i Ditëve Evropiane të Zanateve dhe të Artit, ku marrin pjesë edhe shtetet e tjera fqinje. Modeli maroken stimulon zejtarët për të bërë trajnime për 32 zanatet që janë të mbrojtura. Shembuj janë marrë edhe nga praktikat e Spanjës, Italisë dhe Greqisë.

“Këto shtete blejnë produktet artizanale nga zejtarët që praktikojnë zejet që janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Gjatë realizimit të vizitave zyrtare nga delegacione të ndryshme, me qëllim të mbështetjes së zejeve të vjetra, këto produkte artizanale u dhurohen mysafirëve. Dhurimi i tyre pos ndikimit të promovimit të trashëgimisë kulturore të vendit, ka efekt edhe në rritjen e të ardhurave të zejtarëve që praktikisht ka ndikim që zeja të ruhet”, shkruhet në Raport.

Dyshja ka bërë edhe rekomandime. Sipas tyre në pajtim me Ligjin për trashëgiminë kulturore mund të nxirren dy akte për formën e mbështetjes financiare për zejet e vjetra që janë në rrezik të shuarjes.
“Akti të përmbajë kushtet dhe kriteret se kush mund të certifikohet si zejtar i zejes së vjetër, kush mund të bën propozimin për certifikim të zejes, themelimin e komisionit dhe kushtet për caktimin e komisionit vlerësues, afatet për trajtimin e kërkesave, procedurat për aprovim apo refuzim të certifikimit, dhe mënyrën e certifikimit”, shkruhet te rekomandimet. Sipas inspektorëve po ashtu edhe një akt tjetër mund të nxirret për skemat e grandeve për zejet të cilat janë në mbrojtje si trashëgimi kulturore ku përcaktohen kriteret e pranueshmërisë, dokumentacioni i kërkuar, mënyra e mbështetjes, përfitimi i granteve e detaje të tjera.

Etnologu Bekim Xhemili i cili ka përvojë të gjatë në studimin e trashëgimisë shpirtërore e po ashtu edhe në promovimin e zanatlinjve ka thënë se zejtaria si segment i rëndësishëm i etnokulturës dhe trashëgimisë kulturore, ka qenë e njohur në vendin tonë që nga kohërat e lashta. Sipas tij, përmes zejeve dhe artizanateve, esnafët dhe mjeshtëritë – burra dhe gra – kanë shprehur dhe demonstruar talentin dhe artin e tyre në materiale të ndryshme, si në poçari, argjendari, drugdhendje, tekstile e të tjera.

“Një nga zejet më të njohura në vendit tonë ka qenë dhe është zeja e drugdhendjes. Fatmirësisht mjeshtërit e kësaj zeje, ende punojnë vegla pune, instrumente tradicionale, enë e orendi, deri te djepat për fëmijë. Djepat punohen në mënyrë tradicionale dhe shiten në disa qytete të Kosovës. Familja Qarri (me gjasë të vetmit) nga qyteti i zejtarisë Gjakova, me traditë në zejen e drugdhendjes, vazhdojnë punën në një punëtori druri afër xhamisë së Hadumit, duke punuar dhe ngjyrosur djepa të bukur”, ka thënë ai. Sipas Xhemilit, është e pamundur, që turistëve të huaj dhe vizitorëve vendorë të mos u bjerë në sy arti popullor në djepat e madhësive të ndryshme të ekspozuar pranë punëtorisë dhe dyqanit me qepenat tradicionale.

“Zanatlinjtë që merren me punimin e djepave, duhet të stimulohen dhe ndihmohen vazhdimisht (subvencione, lirim nga tatimet, pagesa të qirasë së punëtorisë dhe dyqanit) nga niveli lokal dhe qendror, që mos ta kenë fatin e zejeve që tashmë janë shuar dhe zhdukur nga çarshitë e qyteteve tona”, ka thënë ai. Sipas etnologut që punon në Muzeun Etnologjik të Kosovës, nuk mjaftojnë panairet, ngjarjet ditore dhe javore, festat e shënuara që kjo zeje ta vazhdojë aktivitetin e saj.

“Duhet mbështetje e vazhdueshme, e sidomos përmes bartjes së mjeshtërisë te gjeneratat e reja, qoftë përmes punëtorive dhe mësimit të zejes në shkollat e mesme profesionale. Të gjitha këto, mund të realizohen nëse ka vullnet dhe dëshirë dhe punë nga profesionistë të fushës si, etnologë, esnafë – mjeshtër, përfaqësues nga komunat dhe ministria si dhe ciceronët – tour operatorët që merren me sjelljen e turistëve në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Xhemilit, brenga kryesore e shumë zanatlinjve dhe veçanërisht e djepapunuesve është gjetja e blerësve, gjegjësisht shitja e djepave në sasi më të madhe, jo vetëm gjatë sezonit së verës.

“Përderisa ka ende zejtarë që punojnë djepa, ka edhe shpresë”, ka thënë ai.

Në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme nga zanatet e vjetra, shteti ka përfshirë “Filigranin”, “Zdrukthetar – Kutixhi”, “Saraç”, “Nallban”,  Sahatçi”, “Bukëpjekës”, “Kazazët – Mendafsh punuesit”, “Qendisjen me ar – Dallame punues”,  “Qeleshepunues”,  “Pirograf”,  “Terzi”,  “Tabak punues  – Gezofpunues”, “Kallajxhi” dhe “Poçar”.

Të tjera

Lajme Showbiz

Reperi i njohur ndahet nga jeta në moshën 25-vjeçare

Reperi i njohur amerikan, Lil Poppa,

Aktuale

Dënohet me 18 vjet burgim Endrit Nika për vrasjen e të dashurës argjentinase

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur