Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është e gatshme të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit.
Ajo ka theksuar se diskutimet dhe takimet po vazhdojnë dhe se është e hapur për të kontribuar në këtë proces, nëse është e nevojshme.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.
Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për këtë çështje, por takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat.
Ky proces ka nisur pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani më 4 prill. Në të njëjtën ditë, detyrën e ushtrueses së presidentes e mori Albulena Haxhiu, në përputhje me Kushtetutën.
Kurti pritet të zhvillojë takime edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Megjithatë, Hamza i ka kërkuar atij që çdo iniciativë të formalizohet me letër zyrtare, në mënyrë që të diskutohet brenda organeve të partisë.
Nga PDK është bërë e ditur se nuk është pranuar ndonjë ftesë e re për takim.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra tha se partia nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon partisë në pushtet, e cila ka shumicën në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje më 5 mars kishte propozuar dy kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit, procesi nuk ka vazhduar.



Të tjera
Lajme
Banuesi nga Prishtina mbetet në det në Velipojë për shkak të defektit në motor, shpëtohet nga Policia Kufitare
Në Velipojë Policia Kufitare i ka
Lajme
Mbytet në det 50-vjeçari në Durrës
Një shtetas 50-vjeçar është mbytur pasditen
Lajme
Këto vende do të mbesin pa rrymë nesër e pasnesër
Njoftimet nga KEDS për punimet në