Zef Prenka: A po bëhet PSHDK-ja me Zef Morinën një “patericë politike” e Vetëvendosjes?

 

 

LETËR E HAPUR: DREJTUAR DEGËVE DHE ANËTARËSISË SË PShDK-së

Në emër të një grupi denokristian  që dërguan kërkesë për reagim.

Shkruan:Zef Prenka

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës!

Sot subjekti ynë PSHDK ndodhet në pikën më të ulët të dinjitetit të tij politik, si pasojë e një udhëheqjeje që ka zgjedhur interesin puro personal mbi vullnetin e bazës dhe historinë tonë politike.

Dorëheqja e z. Zef Morina dhe e gjithë kryesisë qendrore nuk është më vetëm një kërkesë morale, por një domosdoshmëri ekzistenciale për të shpëtuar atë që ka mbetur nga shtëpia jonë e përbashkët. Përfshirja e fundit në qeverisjen “Kurti 3”, ku z.Morina pranoi postin e zëvendësit të z. Dimal Basha, është dëshmia e qartë e degradimit tonë në një “patericë politike” që përdoret vetëm për të plotësuar kuotat imagjinare të kryeministrit. Ky emërim nuk erdhi si rezultat i fuqisë sonë elektorale, por si një lëmoshë për të mbuluar kritikat ndaj Albin Kurtit për përjashtimin e shqiptarëve të besimit katolik nga ekzekutivi ( ky nuk është edhe qëndrim imi). Është fyese që emri i PShDK-së të mbahet në qeveri “për hatër të Zotit” dhe jo me dinjitetin e një partie parlamentare, duke u bërë pjesë e një dekori që nuk përfaqëson as interesat e komunitetit dhe as vizionin e anëtarësisë sonë. Kujtojmë se si në të kaluarën figura si ajo e ish-ministres Rozeta Hajdari dhe Ambasadorit z. Martin Berisha u përdorën nën konotacionin fetar katolik pa qenë fare pjesë e subjektit tonë, duke e njollosur këtë identitet me afera të rënda korruptive, ndërkohë që udhëheqja aktuale qëndroi e heshtur dhe bashkëpunëtore në këtë keqpërdorim( të shpresojmë që të mos përseritën).

  Sot, partia është e kapur nga z. Zef Morina dhe dy-tre bashkëpunëtorë të tij, të cilët pas dështimeve të njëpasnjëshme për të siguruar përfaqësim në Parlamentin e Kosovës, po e mbajnë peng subjektin për përfitime personale.

Anëtarësia jonë është e dëshpëruar dhe e tradhtuar nga kjo mungesë legjitimiteti, andaj kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të kësaj kryesie dhe thërrasim urgjentisht mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të PShDK-së. Ky organ duhet të marrë në dorë fatet e partisë, të shkarkojë strukturat e kapura dhe të hapë rrugën për një lidership të ri që buron nga baza, që frymëzohet nga vlerat tona të vërteta dhe që nuk e sheh logon e partisë si mjet pazari, por si një projekt për t’u rikthyer me dinjitet në skenën politike si një forcë e pavarur dhe e pathyeshme.

Të tjera